Kur linde qave, por të tjerët qeshën. Jeto në mënyrë të atillë që, kur të vdesësh, ti të shkosh i qeshur, kurse të tjerët të qajnë për ty. /www.shkelqimajdini.tk/


Mënyra e faljes së namazit

Në rreshtat në vijim do të sqarojmë mënyrën e të falurit të namazit prej fillimit deri në dhënien e selamit, ashtu siç e ka trajtuar medh´hebi hanefi duke e forcuar atë me argumente nga sunneti i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., mbi të cilat kjo shkollë i bazon qëndrimet e saja.

Nijeti

Nijeti në medh´hebin hanefi është parakusht/shart për vlefshmërinë e namazit. Kjo bazohet në hadithin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., të cilin e transmeton Omer el-Hatabi, në të cilin thuhet: “Veprat vlerësohen sipas qëllimit. Çdokush do të fitojë atë që ka për qëllim. Prandaj kush shpërngulet për shkak të Allahut xh.sh., dhe Pejgamberit të tij, shpërngulja e tij është për Allahun dhe Pejgamberin e tij. Ndërsa kush shpërngulet për të fituar disa të mira të kësaj botë ose të martohet me ndonjë femër, shpërngulja e tij s´do të jetë tjetër veç asaj se që ka pasur për qëllim”.

Pasi që namazi është ibadet (adhurim), ndërsa ibadeti në vete përfshinë veprën e sinqertë me përkushtim të plotët ndaj Allahut xh.sh., andaj dhe hanefitet nuk mendojnë se ky sinqeritet mund të arrihet pa nijet dhe përshkak të kësaj e shënojnë si kusht për vlefshmërinë e namazit.

Me rëndësi është të përmendet se, sipas medh´hebit hanefi, është kusht që nijeti të bëhet me zemër se çfarë do të falet. Shqiptimi i nijeti me fjalë nuk është i nevojshëm. Dihet sigurt se Ebu Hanife nuk e ka shqiptuar nijetin me fjalë asnjëherë!!! Gjersa Adburrahman el-Xheziri shënon që shqiptimi i nijetit (me fjalë – M. A ), sipas medh´hebit hanefi, është bid´at (risi) dhe se ata një gjë të tillë e tolerojnë vetëm përshkak të largimit të vesveseve dhe mendimeve të ndryshme të cilat vijnë në momentin e hyrjes në namaz.

Atëherë prej nga shqiptimi i nijetit me fjalë në medh´hebin tonë?

Kësaj pyetje i është përgjigjur dijetari el-Xheziri. Pra, bisedohet për një koncentrim në namaz dhe tentim, që nëpërmjet shqiptimit me fjalë të nijetit, të largohen mendimet të cilat vijnë në kokën e falësit para se të hyjë në namaz. Është me rëndësi të theksohet se kjo traditë (sunnet) nuk është e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., por, ashtu siç e quajnë disa, traditë e dijetarëve të medh´hebit hanefi. Me fjalë të tjera, kur njerëzit dijetarëve të mëvonshëm të medh´hebit hanefi u janë ankuar përshkak të ngacmimeve të mendimeve gjersa hyjnë në namaz, ata u kanë propozuar që krahas nijetit me zemër, të shqiptojnë edhe me gojë atë se çka dëshirojnë të falin, dhe në këtë mënyrë, sadopak t´i largojnë vesveset dhe më mirë të koncentrohen në namaz. Kështu për shembull Muhammed b. El-Hasan esh-Shejbani, nxënës i Ebu Hanifes, ka deklaruar se sinteza më e mirë ndërmjet nijetit me zemër është edhe nijeti me fjalë.

Pra, të përfundojmë: shqiptimin e nijetit me fjalë nuk e ka rekomanduar imam Ebu Hanife, mirëpo atë e kanë pëlqyer disa dijetarë të medh´hebit hanefi nga gjeneratat e mëvonshme.


Tekbiri fillestar / Iftitahit-tekbir

Ebu Hanife shqiptimin e tekbirit fillestar të namazit / tekbiretu-l-iftitah e konsideron kusht për vlefshmërinë e plotë të namazit. Shqiptimi i fjalëve: Allahu Ekber!, për Ebu Hanifen dhe Ebu Jusufin është shart, ndërsa për Muhammedin rukn.

Këtë qëndrim e mbështesin në fjalët e Allahut të Madhërishëm: Ve rabbeke fekebbir! / Dhe Zotin tënd madhëroje!, duke konsideruar se ky ajet ka të bëjë me tekbirin fillestar në namaz.

Krahas këtij ajeti, ata qëndrimin e tyre e bazojnë edhe në fjalët e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., të cilat i transmeton Aliu r.a: “Çelësi i namazit është pastërtia, fillimi i tij është tekbiri fillestar, ndërsa fundi i tij - dhënia e selamit”. Transmetim të njëjtë përcjell edhe Abudllah bin Mes´udi, r.a., në të cilin i Dërguari, s.a.v.s., thotë: “Fillimi i namazit është tekbiri, ndërsa fundi – selami”.

Ky qëndrim, gjithashtu, bazohet në hadithin të cilin e transmeton Rifa´ b. Rifa´, r.a., ku thuhet: “Allahu nuk e pranon namazin e cilitdo qoftë person, gjersa nuk merr abdes si duhet, gjersa nuk kthehet kah Kibleja dhe gjersa nuk i shqipton fjalët: Allahu ekber!”

Në këtë aspekt mund të shënohen edhe disa hadithe të cilat e vërtetojnë këtë qëndrim:

- I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka shqiptuar tekbirin në namaz, saqë e ka dëgjuar edhe ai që është falur pas tij.

- Kur u sëmur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., Ebu Bekri e ngriste zërin e tij, kështu që deri të njerëzit të arrinte tekbiri i Pejgamberit a.s.

- Kur imami thotë: Allahu ekber!, edhe ju thoni: Allahu ekber!


Ngritja e duarve gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar

a) Kur ngrihen duart gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar?

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ndonjëherë i ka ngritur duart në të njëjtën kohë kur e ka shqiptuar tekbirit, ndonjëherë para, ndërsa ndonjëherë pas tekbirit.

Hanefitët e kanë zgjedhur transmetimin e Buhariut, Nesaiut, Ahmedit dhe Bejhekiut, në të cilin shënohet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i ka ngritur duart në momentin kur e ka shqiptuar tekbirin fillestar.

Krahas Ebu Hanifes, qëndrim të këtillë kanë marrë edhe Buhari, Ahmedi, Maliki dhe Gazali.

Në El-Hidaje, veprën e njohur hanefite, përmendet qëndrimi i mëparshëm, por theksohet se qëndrim më i mirë është ngritja e duarve para dhe pastaj të shqiptohet tekbiri, përshkak se me të, ashtu si shënohet aty, largohet mendjemadhësia dhe me ngritjen e duarve simbolikisht lëmë dynjanë (botën) pas shpine, dhe pastaj, duke shqiptuar: Allahu ekber!, bëjmë të ditur se gjithçka është asgjë në krahasim me Atë – të Madhërishmin.

Kështu pra, në transmetimin e Abdullah b. Omerit, r.a., thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., kur ka hyrë në namaz, para i ka ngritur duart dhe pastaj e ka shqiptuar tekbirin.



b) Gjer ku ngrihen duart gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar?

Ekzistojnë transmetime të shumta për ngritjen e duarve dhe ato, kryesisht, reduktohen në dy versione: ngritja e duarve në lartësi të shpatullave ose në lartësi të veshëve. Të rralla janë transmetimet, themi, si të Ibn Hibbanit, i cili flet për ngritjen e duarve mbi kokë!

Për ngritjen e duarve në lartësi të shpatullave ekzistojnë transmetime te Buhari, Nesaiu, etj., dhe në bazë të tyre, qëndrime të këtilla kanë marrë Buhariu, Shafiu, imam Maliku, Ahmedi dhe Ishaku.

Megjithatë, imam Ebu Hanife dhe nxënësit e tij kanë marrë qëndrim, që duart te tekbirit fillestar, të vendosen karshi veshëve (në mënyrë që gishti i madh të prek llobullin e veshit – M. A.) dhe atë në bazë të transmetimit të Buharit, Muslimit, Ebu Davudit, Nesaiut dhe të tjerëve, tek të cilët ashtu është përcjellë.

Imam Muslimi në transmetimin e Vail ibn Huxhriut, r.a., shënon se ai e ka parë të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., sesi gjatë hyrjes në namaz dhe shqiptimit të tekbirit, t´i ngrit duart në lartësi të veshëve.

Nësaiu në Sunenin e tij shënon transmetimin e Vail ibn Huxhriut, r.a., i cili pohon se është falur pas të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., i cili gjatë hyrjes në namaz ka shqiptuar tekbirin dhe ka ngritur duart në lartësi të veshëve të tij.

Pas këtij hadithi imam Nesaiu në të njëjtën vepër shënon transmetimin e Valiut, r.a., në të cilin thuhet se e ka parë Pejgamberin a.s., duke i prekur llobullat e veshëve me gishtat e mëdhenj.

Imam Ahmedi dhe Ishak b. Rahevejh në Musnedet e tyre, Darekutni në Sunen dhe Tahaviu në Sherhu-l-asaru cekin transmetimin e as´habiut të njohur El-Bera´ b. Adhiba, r.a., në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i ka ngritur duart, kur ka hyrë në namaz, ashtu që gishtërinjtë e mëdhenj i kishte kundruall veshëve.

Darekutni dhe Bejhekiu ne sunenet e tyre dhe Hakimi en-Nejsaburi në Mustedrek shënojnë transmetimin e Enes b. Malikut, r.a., në të cilin pohon se e ka parë të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., se, gjersa ka shqiptuar tekbirin fillestar, i ka ngritur duart ashtu që gishtërinjtë e mëdhenj i kanë qenë pranë veshëve. Hakimi transmetimin këtij hadithi e vlerëson si autentik, në bazë të kushteve të Buhariut dhe Muslimit.

Imam Tahaviu thekson se i Pejgamberi a.s., duke i ngritur duart, në këtë situatë, për pakëz t´i ketë prekur më gishtërinjtë e mëdhenj pjesën e poshtme të butë të veshëve të tij.
Nëse merret parasysh transmetimi i përmendur i Ibn Hibbanit, në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i ka ngritur duart mbi kokë dhe të Abdulberrit, në të cilin thuhet se i ka ngritur duart ndonjëherë kundruall kokës, ndonjëherë kundruall veshëve, ndërsa ndonjëherë kundruall kraharorit, atëherë arrihet përshtypja se hanefitët kanë pranuar mesin e art, ndërsa ai është: që meshkujt t´i ngrenë duart gjer të veshët, duke i prekur llobullat e veshëve më gishtërinjtë e mëdhenj dhe në atë mënyrë arrihet, siç thekson et-Tahanevi, kënaqësia për ato transmetime të shumta, të cilat flasin për ngritjen e duarve në lartësi të kraharorit dhe veshëve, sepse me këtë duart ngrihen në lartësi të shpatullave, ndërsa gishtërinjtë janë në lartësi të veshëve.

Ndërsa gratë, sipas medh´hebit hanefi, duart do t´i ngrenë në lartësi të kraharorit të tyre, me anë të të cilëve do ta mbrojnë atë, që për meshkujt do të ishte provokuese, dhe ky (veprim) është, ashtu siç e vëren edhe dijetari Kafi Prushçaku, më pak i dallueshëm (që bie në sy) dhe më i drejtë.

Këtë, hanefitët e mbështesin në hadithin e të Dërguari të Allahut, s.a.v.s., në të cilin ai i drejtohet Vail ibn Huxhriut, r.a., dhe i thotë: “O djali i Huxhriut kur të fillosh të falesh ngriti duart në lartësi të veshëve tu, ndërsa gruaja le ti ngrit duart në lartësi në kraharorit të saj!”


c) Si të mbahen shuplakat dhe gishtërinjtë gjatë ngritjes së duarve?

Sipas medh´hebit hanefi gishtërinjtë e duarve të ngritura duhet të jenë të shtrirë, ndërsa shuplakat të kthyera nga Kiblja. Juristi i madh hanefi dhe hafidhi i njohur i hadithit Ebu Xha´fer et-Tahavi thotë që gishtërinjtë e duarve të ngritura nuk duhet shumë ndërmjet të jenë të ndarë, as të ngjiten njëri me tjetrin, por që duhet të mbahen në gjendjen normale të zakonshme të shtrirë.

Ky qëndrim bazohet në transmetimet e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre, r.a., thuhet: “Kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., lexonte tekbirin gjatë hyrjes në namaz i shtrinte gishtërinjtë e tij.”

Autorët e përmbledhjeve më të njohura të haditheve El-Kutubu-s-sitte, përvec ibn Maxhes, shënojnë transmetim të njëjtë të Ebu Hurejres, në të cilën thuhet se i Dërguari, s.a.v.s., i ka shtrirë duart kur e ka shqiptuar tekbirin fillestar.

Në një rivajet tjetër Ebu Amir ka treguar se si i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i ka shtrirë gishtërinjtë, duke shpjeguar se nuk i ka ndarë shumë njëri prej tjetrit, as që i ka puthitur njëri pran tjetrit, por që i ka lënë në gjendjen natyrore të shtrirë.
 

d) sa herë duhet ngritur duart gjatë namazit?


Nuk ka dallime në mes shkollave juridike në lidhje me ngritjen e duarve me rastin e hyrjes në namaz. Të gjitha shkollat juridike kategorikisht pohojnë që duhet të ngrihen duart me rastin e shqiptimit të tekbirit fillestar. Dallimi është në atë se disa shkolla juridike rekomandojnë ngritjen e duarve edhe me rastin e shkuarjes në ruku’ dhe pas ngritjes nga ruku’a edhe me rastin e ngritjes nga rekati i tretë.1 Madje, disa dijetarë, sikur Ibn Hazmi, konsiderojnë që transmetimet mbi ngritjen e duarve tek të gjitha lëvizjet dhe ngritjet në namaz, arrijnë gradën e mutevatirit në të cilat nuk ka aspak dyshim.2

Qëllimi ynë, në asnjë mënyrë, nuk është që t’i përgënjeshtroj argumentet e pakontestueshme të cilat i shënojnë shkollat e tjera juridike, por vetëm nxjerrjen në shesh argumentet në të cilat medh’hebi hanefi e mbeshtet qëndrimin e tij.3


Sipas shkollës juridike hanefite duart do të ngrihen vetëm gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar dhe asnjëherë më!!!

Duke analizuar në këtë çështje të namazit, Ebu Xhafer Et-Tehavi, përcjell nëntë transmetime të cilat trajtojnë ngritjen e duarve më shumë herë në namaz.4

Imam Buhariu, në Sahih përcjell rivajetin e Abdullah b. Omerit, r.a., në të cilin thuhet: E kam parë të Dërguarin e Allahun, s.a.v.s., që gjatë hyrjes në namaz i ngriti duart aq sa i kishte kundrruall shpatullave të tij. Ai e bëri atë kur e shqiptoi tekbirin për të shkuar në ruku’, dhe ashtu veproi edhe kur e ngriti kryen nga ruku’a, dhe shqiptoi: Semi’allahu li men hamideh!, ndërsa atë (ngritjen e duarve – M.A) nuk e bëri gjatë kryerjes së sexhdes.5

Në transmetimin e Ebu Kilabit thuhet se e ka parë Malik b. Muvejrisiun, se e ka shqiptuar tekbirin fillestar dhe i ka ngritur duart, kur ka dashur që të falet. Ai i ngrinte duart edhe kur dëshironte të shkonte në ruku dhe kur ngritej prej saj. Ai ka përcjellur që vërtetë ashtu ka vepruar edhe i Dërguari i Allahut, s.a.v.s.!6

Këto dhe transmetime të ngjashme i kanë marrë për argument tre imamët e njohur, përpos Imam Ebu Hanifes, si edhe një numër prej muhadithëve dhe juristëve. Madje edhe disa pasues dhe dijetarë të medh’hebit hanefi i kanë preferuar këto argumente dhe kanë pranuar ngritjen e duarve më shumë herë në namaz. I këtillë ka qenë, siç shënon shejh Muhamed Nasurudin el-Albani, nxënësi i imamit të njohur Ebu Jusufit, Isam b. Jusuf Ebu Ismet el-Belhi (vd. në vitin 210 sipas hixhretit).7

Ebu Hanife dhe dijetarët tjerë të shkollës juridike hanefite kanë marrë qëndrim të kundërt me atë që u theksua më lartë, duke konsideruar, në bazë të argumenteve, që ngritja e duarve është e nevojshme vetëm tek tekbiri fillestar. Në favor të kësaj shënojnë një numër hadithesh si dhe praktikën e as’habëve dhe tabiinëve. Ebu Xhafer et-Tehaviu, njëri nga dijetarët e mëdhenj të shkollës juridike hanefite, në veprën e tij të njohur të hadithit Sherhu Me’ani-l-asar shënon një numër transmetimesh dhe praktikën e as’habëve dhe tabiinëve me zinxhir të plotë të transmetuesve. Së pari ai shënon transmetimin e El-Bera’ b. Azibiut, r.a., në të cilin thuhet: Pejgamberi, s.a.v.s., kur e falte namazin e shqiptonte tekbirin fillestar, ngritke duart, ashtu që majat e gishtërinjve i ishin pranë pjesës së butë të veshëve, dhe pastaj ngritjen e tillë nuk e përsëriste.8

Pas këtij hadithi, Tahaviu shënon edhe disa rivajete të ngjashme nga i njëjti as’hab.

Më pas shënon transmetimin e Abdullah b. Mesudit r.a, në të cilin thuhet: Pejgamberi, a.s., i ka ngritur duart vetëm gjatë tekbirit fillestar dhe më nuk e ka përsëritur.9

Hadithin e shënon Tirmidhiu në Sunen dhe e vlerëson si transmetim hasen. Në komentin e Sunenit të Tirmidhiut, Ahmed Muhamed Shakiri, këtë hadith e vlerëson si autentik.10 Gjithashtu, edhe shejh Albani këtë transmetim e vlerëson si autentik. 11

Pas citimit të hadithit të lartpërmendur Ebu Isa Et-Tirmidhiu thotë: Sipas këtij hadithi veprojnë shumë dijetarë nga gjenerata e as’habëve dhe tabiinëve. Ky është, gjithashtu, qëndrim edhe i Sufja eth-Theurit dhe të dijetarëve nga qyteti Kufe. 12

Ibn Ruzhd el-Kurtubi, në veprën e tij të njohur, Bidajetu-l-muxhtehid, pohon që, sipas të transmetimit të Ibnu-l-Kasimit, ky është edhe qëndrim i imam Malikut.13

Kur e ka pyetur el-Mugire Ibrahim en-Neha’ijun, dijetarin e madh nga gjenerata e tabiinëve: Cfarë thuash për transmetimin e Vail b. Huxhriut, i cili e ka parë të Dërguarin e Allahut, s.a.v.a., se si i ka ngritur duart edhe gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar, po edhe gjatë shkuarjes në ruku dhe pas ngritjes nga ajo (ruku’a)?!, kurse ai është përgjigjur: Nëse Vail b. Huxhriu e ka parë të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., vetëm një herë që atë e vepron, Abdullah b. Mesu’di, r.a., e ka parë pesëdhjetë herë që atë nuk e vepron!14

Në transmetimin e Ali b. Ebi Talibin thuhet: I Dërguari i Allahut, s.a.v.a., duart i ka ngritur vetëm gjatë tekbirit fillestar, ndërsa atë nuk e ka përsëritur më.15

Muxhahidi, dijetari i madh i gjeneratës së tabiinëve, pohon: Jam falur pas Abdullah b. Omerit, r.a. Duart i ngriti vetëm tek tekbiri fillestar!16

El-Esvedi pohon që është falur pas Omerit b. El-Hatabit, r.a., dhe thekson, se ai i ka ngritur duart gjatë namazit vetëm tek tekbiri fillestar, duke mos e përsëritur atë gjatë namazit! Gjithashtu, thekson el-Evedi, i kam parë edhe Ibrahimin edhe Esh-Sha’biun. Këtë transmetim Tahaviu e vlerëson si autentik dhe shtron pyetjen: A mendon se Omeri, r.a., do ta fshehte atë që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka vepruar gjatë ruku’as dhe sexhdes, kur është në pyetje ngritja e duarve?! A thua vallë, ata që ishin pranë Omerit, r.a., kanë mundur të lejojnë që ai të falet ndryshe nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e që të mos e paralajmërojmë në të?! Dhe përgjigjet: Jo, kjo është e pamundur!!!17

Krahas vërejtjeve dhe analizave të cilat i ka shënuar Tahaviu, kur janë në pyetje transmetimet të cilat favorizojnë ngritjen e duarve më shumë herë në namaz, ai nënvizon se nuk dëshiron që t’i nënçmojë asnjë nga ekspertet islam, pasi që nuk është traditë e tij, por thjeshtë, siç thotë ai, vetëm dëshiron të zbuloj padrejtësitë dhe armiqësitë të cilat bëhen ndaj shkollës juridike hanefite!

Andaj, të gjitha transmetimet e theksuara të cilat, siç duken, dallojnë diametralisht, mund të zgjidhen në mënyrë shumë të thjeshtë dhe racionale. Pra, megjithëse ka transmetime mbi ngritjen e duarve më shumë herë dhe vetëm një herë në namaz nga të njëjtit as’habë, dhe atë, transmetime autentike, atëherë, sipas tij, arsye e vetme është derogimi i haditheve të para të cilat tregojnë për ngritjen e duarve më shumë herë në namaz. Ai këtë e argumenton me atë që, të themi, Abdullah b. Omeri, r.a., në fillim i ka ngritur duart më shumë herë, por më vonë, pas vdekjes së të Dërguarit, s.a.v.s, është parë duke mos i ngritur duart.!!! Një rast i tillë është edhe me hazreti Aliun, r.a., dhe shumë as’habë të tjerë të cilët më vonë i kanë ngritur duart vetëm gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar. Kjo, padyshim, orienton në atë se transmetimet që kanë të bëjnë me ngritjen e duarve vetëm një herë në namaz, përfundon Tahaviu, i kanë droguar transmetimet e para mbi ngritjen e duarve më shumë herë gjatë namazit. [18]

Përveç Tahaviut, qëndrim të këtillë kanë marrë edhe shumë dijetarë të tjerë. Kështu që, juristi bashkëkohorë hanefi Vehbi Sulejman Gavoxhi el-Albani, duke theksuar transmetimin e Abdullah b. Mes’udit, mbi ngritjen e duarve, përkitazi, vetëm se gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar, në veprën e tij mbi namazin dhe rregullat e tij, e vlerëson këtë hadith si transmetim autentik dhe thekson: Këtë hadith të Abdullah b. Mesu’dit, r.a., si transmetim autentik e kanë vlerësuar këto heronj të islamit:

- në Musnedin e Ahmedit ekziston një transmetim,
- dy transmetime në Sunenin e Nesaiut,
- tek Suneni i Ebu Davudit katër transmetime autentike,
- tek Suneni i Tirmidhiut, të cilin e vlerëson si transmetim hasen,
- një transmetim tek Ibn Ebi Shejbe në Musannefin e tij,
- katër transmetime autentike tek Tahaviu në Sherhu Me’ani-l-asru, dhe
- dy transmetime autentike në Musnedin e Ebu Hanifes.

Është e rëndësishme të përmendet se janë edhe rreth 60 hadithe të transmetuara nga dhjetë as’habë të ndryshëm, me zinxhirë të ndryshëm të transmetuesve, mbi ndalimin e ngritjes së duarve më shumë herë në namaz, të cilat orientojnë kah derogimi i haditheve të cilat flasin për këtë (ngritjen e duarve më shumë herë M.A).[19]

Pas këtyre argumenteve autori thekson transmetimin e Omer b. el-Hatabit, r.a., të cilin e shënon Ibn Ebi Shejbe në Musannef, i cili është i vlerësuar edhe si autentik, kurse në të thuhet që: I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., vetëm një herë i ka ngritur duart në namaz![20]

Në të njëjtën vepër autori, gjithashtu, shënon transmetimin autentik të Abdullah b. Omerit, r.a., në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s, vetëm një herë i ka ngritur duart në namaz! [21]

Gjithashtu, dijetari bashkëkohor islam, dr. Vehbe ez-Zuhajli, autori i veprës kapitale nga fusha e së drejtës së sheriatit në 8 vëllime të mëdha, të cilën e ka titulluar “El-Fikhul Islami ve edil-letuhu”, pohon që hanefitët dhe malikitët nuk e konsiderojnë sunnet ngritjen e duarve më shumë herë në namaz – përveç gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar – për arsye se transmetimet të cilat kanë të bëjnë më ngritjen e duarve më shumë herë nuk i konsiderojnë autentike, kurse për ngritjen e duarve vetëm një herë përmendin transmetime autentike dhe argumente.[22] Këtu, me siguri, mendohet mbi qëndrimin e tyre se transmetimet që kanë të bëjnë më ngritjen e duarve më shumë herë në namaz janë të droguara dhe se ato transmetime, megjithëse janë autentike, i lënë anësh.
 Kijam / qëndrimi në këmbë në namaz


a) Lidhja e duarve në kijam

Të gjitha shkollat juridike – përvec malikitëve – pajtohen se duhet lidhur duart gjatë qëndrimit në këmbë. Këtë qëndrim, përveç të tjerëve, e përfaqësojnë edhe Ali b. Ebi Talib, Ebu Hurejre, Ebu Hanife, Shafiu, Ahmedi, Ishaku, etj. Tirmidhiu përmend që këtë qëndrim e përfaqësojnë shumica e dijetarëve nga gjenerata e as’habëve, tabi’inëve dhe gjenerata e dijetarëve të mëvonshëm. [23]

Ky qëndrim mbështetet në këto hadithe:

Sehl b. S’ad, r.a., as’habi i njohur, pohon: Njerëzit kanë qenë të urdhëruar që dorën e djathtë ta vendoj mbi pjesën e sipërme të dorës së majtë. [24]

Transmeton Hulb et-Tai el-Kufi: Na falte i Dërguari, s.a.v.s., si imam dhe e kapte të majtën e tij me dorën e djathtë. [25]


Abdullah bin. Mes’ud, r.a., përcjell se ka kaluar i Dërguari i Allahut, s.a.v.s, për rreth tij gjersa ai ka qenë duke u falur, duke e pasur të venduar të majtën mbi dorën e djathë, e ia ka marr dorën e djathtë dhe ia ka venduar mbi dorën e majtë. [26]

Në këtë aspekt tetëmbëdhjetë as’habë, siç pohon Es-Sejjid Sabik, shënojnë njëzet hadithe të cilat kësaj i shkojnë në favor. [27]


b) Ku duhet mbajtur duart në kijam?

Ekzistojnë mos pajtueshmëri në atë se: ku të mbahen duart gjatë qëndrimit në namaz. Kështu që nga Maliku transmetohen tri qëndrime:

1 – që duart nuk duhet lidhur, por të lëshohen poshtë;
2 – që duart duhet lidhur nën kraharor dhe mbi kërthizë, dhe
3 – që personi mund të zgjedh, nëse donë i lidh e nëse donë i lëshon poshtë.
Nga Shafiu transmetohen tri qëndrime:

1 – që duhet lidhur nën kraharor dhe mbi kërthizë,
2 – që duhet lidhur në kraharor, dhe
3 – që duhet lidhur nën kërthizë.

Nga Ahmedi, gjithashtu, transmetohen tri qëndrime:

1 – që duhet të lidhen nën kërthizë,
2 – që duhet të lidhen nën kraharor,
3 – që personi vetë të vendos se cilën nga dy mënyrat e përmendur ta zbatoj. [28]

Imam Ebu Hanife dhe ata që këtë e pasojnë kanë marrë vetëm një qëndrim: të lidhurit e duarve nën kërthizë për meshkujt dhe të lidhurit e duarve në kraharor për gratë! [29]

Këtë qëndrim hanefitët e argumentojnë me hadithet që vijojnë:

Vail b. Hixhr, r.a., thotë: E kam parë të Dërguarin, s.a.v.s., se si e kishte venduar dorën e djathtë mbi të majtën nën kërthizë. [30] Zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është vlerësuar si autentik, kurse transmetuesit janë të njohur. [31]

Ali b. Ebi Talibi, r.a., thotë: Sunet është vënduarja e shuplakës së dorës së djathtë mbi pjesën e sipërme të dorës së majtë, nën kërthizë. [32]

Ibnu-l-Kajjim el-Xhevziu, në veprën e njohur Bedai’u-l-fevaid, pohon që lidhja e duarve në namaz nën kërthizë është sunnet autentik dhe ky hadith Aliut, r.a., është transmetim autentik në të cilin nuk ka dyshim. [33]

Haxhxhaxh b. Hasan thotë: E kam dëgjuar Ebu Mixhlezin, apo e kam pyetur: Si mbahen duart? Më është përgjigjur: Shuplaka e dorës së djathtë vendohet mbi pjesën e epërme të dorës së majtë dhe atë nën kërthizë. [34] Ky transmetim është vlerësuar si i mirë dhe të gjithë transmetuesit e tij janë të njohur. [35]

Thotë Ebu Ma’sheri: Ibrahim En-Neha’i, duke u falur, e ka venduar dorën e djathtë mbi dorën e majtë nën kërthizë. [36] Zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është vlerësuar si hasen/ i mirë. [37]

Duhet theksuar se disa shkencëtar hanefi pohojnë që është mirë të lidhen duart në çdo gjendje gjatë kryerjes së ndonjë ibadeti, p.sh., dhikri dhe ngjashëm me qëndrimin në këmbë në namaz, leximin e Kunut-dovës, por jo në qëndrimin pas kryerjes së ruku’as dhe ndërmjet shqiptimit të tekbireve të bajrameve.

Ebu Ali en-Nesefi dhe Ebu Abdullah pohojnë se është sunnet të lidhurit e duarve nën kërthizë në çdo qëndrim, pavarësisht se në qëndrim nëse lexohet diç apo jo.

Shumica mendojnë që lidhja e duarve nën kërthizë është simbol i skajshëm i përkulshmërisë ndaj Allahut, xh.sh. Ndërkaq, gratë i lidhin duart përmbi kraharor që më mirë t’i fshehin gjokset, të cilat bëjnë pjesë në pjesët e turpta të gruas, për çka ekzistojnë një numër transmetimesh. [38]


c) Ku duhet shikuar në namaz?

Sipas shkollës juridike hanefite personi i cili falet gjatë kijamit do të shikoj në atë vend ku do ta bëj sexhden. [39]

Ka shumë transmetime, të cilat në mënyrë eksplicite tregojnë për një qëndrim të tillë:

Ibn Abbasi, r.a., transmeton se kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., hynte në namaz, shikonte në vendin në të cilin do të bënte sexhde.[40]

Në transmetimin tjetër thuhet: Kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., faleshte, e ngrinte kokën, ndërsa shikimin e drejtonte nga toka. [41]

Po ashtu në një rivajet tjetër thuhet: Kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., hynte në Kabe, nuk e ndryshonte shikimin nga vendi në të cilin bënte sexhde, gjersa nuk dilte nga ajo.[42]

Të shikuarit me përkushtim në namaz mbështetet edhe në fjalët e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., në të cilat na tërhiqet vërejtja që të mos të kthehemi djathtë-majtas në namaz, por të shikojmë të përkushtuar. Ai, s.a.v.s., thotë: “Allahu xh.sh., do ta pranoj namazin e një besimtari, gjersa ai nuk fillon të kthehet (lëviz) në të, e kur ai të kthehej fytyrën e tij, Allahu prej tij largohet.” [43]


ç) Duaja në fillim të namazit

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka filluar leximin namazin, pas tekbirit fillestar, me dua të ndryshme, në të cilat e ka madhëruar dhe lavdëruar Allahun, xh.sh. Ebu Hanife, Shafiu dhe Ahmedi të lexuarit e duasë pas tekbirit fillestar e konsiderojnë si veprim të pëlqyeshëm.

Shejh Albani në veprën e tij të njohur në të cilën përshkruan namazin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., përmend 12 dua, të cilat janë të mbështetura në transmetime të verifikuara me të cilat i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka filluar leximin në kijam. [44]

Shkolla juridike hanefite, nga ato disa dua, e ka zgjedhur atë për të cilën më së shumti ka transmetime, e ajo është leximi i Subhanekes.

Ebu Se’id el-Hudri, r.a., transmeton së kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka filluar namazin e ka lexuar duanë sic vijon: Subhanekallahumme ve bi hamdike, ve te barekesmuke, ve te’ala xhedduke, ve la ilahe gajruke! Dëlirësia të takon Ty, Zoti im, dhe falënderimi, emri Yt është i bekuar, e lartësuar është Madhështia Yte, s'ka hyjni pos Teje. [45]

Në transmetimin e Enes b. Malikut, r.a., pohohet se i Dërguari e Allahut, s.a.v.s., pas shqiptimit të tekbirit fillestar e ka lexuar duanë e lartpërmendur. Në transmetimin e Abdullah b. Mes’udit, r.a., shënohet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i ka mësuar se çka të thonë kur të fillojnë të falen, e pastaj ua ka preferuar këtë dua. Gjithashtu, Omer b. el-Hattabi, r.a., i ka mësuar njerëzit që të lexojnë duanë të cilën i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ua ka mësuar. [46]

Madje është prononcuar edhe imam Ahmedi: Sa më përket mua, unë jam në qëndrim të asaj që Omeri, r.a., e ka transmetuar. Ai, gjithashtu, siç e përmend Ibnu-l-Kajjimi, këtë dua e ka preferuar në mesin e të dhjetave të cilat i ka përmbledhur. [47]
 

d) Leximi i E’udhubil-lahit dhe Besmeles

Shumica e imamëve, përpos Malikut, konsiderojnë se është sunnet këndimi i E’uzes (E’udhu bil-lahi minesh-shajtanir-raxhim) pas duasë fillestare (subhanes).

Kjo bazohet në fjalët e Allahut të Lartësuar:

“Kur të lexosh Kur’an, kërko mbrojtjen e Allahut prej djallit të mallkuar.” [48]

Kjo, gjithashtu, bazohet në hadithin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., të cilin e transmeton Ebu Se’id el-Hudriu, r.a., në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., pasi që e ka lexuar duanë: Subhaneke, pas kësaj e ka lexuar E’uzen, duke kërkuar nga Allahu i Plotfuqishëm mbrojtje nga shajtani i mallkuar.[49]


Imam Darekutni në Sunenin e tij përcjell transmetimin e Esved b. Jezidit në të cilin thuhet se e ka dëgjuar Omerin, r.a., se si, pas duasë fillestarë në namaz, e ka kënduar E’uzen.[50]

Sa i përket Bismil-lahit, ai ka të njëjtin status te të tre imamët sikur E’uzja. Te hanefitet dhe hambelitet ai lexohet në vete, ndërsa te shafi’tët lexohet më zë në ato namaze kur edhe Fatihaja lexohet me zë.[51]

Hanefitët qëndrimin e tyre e mbështesin në hadithin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., që e transmeton Enes b. Maliku, r.a., në të cilin thuhet se i Pejgamberi, a.s., Ebu Bekri dhe Omeri, r.a., e kanë filluar namazin me: Elhamdu lil-lahi rab-bi-l-alemin.[52] Pra, pas këndimit në vete të subhanekes, E’uzes dhe Bismil-lahit, këndimin me zë e kanë filluar me Fatihanë.

Këtë, në mënyrë decide e shpjegon një transmetim i Enes b. Malikut, r.a., në të cilin thuhet: Jam falur pas të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., Ebu Bekrit, Omerit dhe Othmanit, dhe prej asnjërit nuk e kam dëgjuar që ta lexojnë me zë Bismil-lahin.[53]

Imam Tirmidhiu në Sunen e tij shënon transmetimin në të cilin thuhet se djali i Abdullah b. Mugaffelit, r.a., në namaz e ka lexuar me zë Bismil-lahin, e babai i ka thënë: “Shih, biri im po bën bid’at (risi). Largoju këtyre risive, sepse s’kam parë asnjë as’habë që të urrej diç më shumë se sa futjen e risive në islam.[54] Jam falur pas të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., Ebu Bekrit, Omerit dhe Othmanit, dhe asnjërin nuk e kam dëgjuar që Bismil-lahin ta këndojë me zë, prandaj as ti mos e këndo. Kur të falesh, fillo (me zë) me: El-Hamdu lil-lahi rab-bi-l-alemin! Imam Tirmidhiu këtë hadith e verifikon si të mirë / hasen dhe thotë që sipas këtij hadithi veprojnë shumica e dijetarëve nga gjenerata e as’habëve dhe shumica e dijetarëve nga gjenerata e tabi’inëve.[55]


e) Leximi i Fatihasë

Pjesa dërmuese e dijetarëve islam konsiderojnë se këndimi i Fatihasë në namaz është obligative dhe se këndimi i saj është prej rukneve / pjesëve përbërëse të namazit.

Ebu Hanife këndimin e Fatihasë në namaz e konsideron vaxhib.[56] Sipas tij, përderisa dikush e lëshon Fatihanë, ndërsa këndon diçka tjetër nga Kur’ani, namazi do t’i ishte i vlefshëm, por që do të duhet bërë sehvi-sexhde.[57]

Ebu Hanife qëndrimin e tij e mbështet në hadithin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., të cilin e transmeton Ubade b. Samit, r.a., ku thuhet: “Nuk ka namaz ai i cili nuk e lexon Fatihanë.”[58]

Me fjalët “nuk ka namaz”, nënkuptohet [/b]“nuk ka namaz të plotë”[/b], në bazë të kuptimit të hadithit: askush nga ju nuk do të besoj, që do të thotë: nuk do ta plotësoj imanin e tij. Nga kjo, medh’hebi hanefi kërkon që, nëse lëshohet Fatihaja, të bëhet sehvi-sexhde.

Shkolla juridike hanefite këtë qëndrim e mbështet edhe në ajetet kur’anore:

“...Lexoni nga Kur’ani prej asaj që u vijnë më lehtë...”[59]

Si dhe në hadithin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., të cilin e transmeton Ebu Hurejre, r.a.: “Kush fal namaz dhe nuk e lexon Fatihanë, namazi i tij nuk është i plotë / hidaxh.”[60]

Argumenti më i mirë i cili shkon në favor të qëndrimit të shkollës juridike hanefite është hadithi i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., të cilin e transmeton Abdullah b. Ebi Evfa’, r.a., ku thuhet se një njeriu është mërzitur sepse nuk ka mund të mësoj gjë nga Kur’ani, e Muhammedi, a.s., i ka rekomanduar që në namaz të këndoj: “Subhanall-llahi, ve-l-hamdu lil-lahi ve la ilahe il-lall-llahu, vall-llahu ekber, ve la havle ve la kuv-vete il-la bil-lah.”[61]

Edhe një tjetër transmetim shkon në favor të këtij qëndrimi të medh’hebit hanefi. Pra, ka ndodhur që një njeri të fal dy reqate namaz në xhaminë e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., mirëpo nuk i ka falur në rregull, dhe i Dërguari, s.a.v.s., e ka kthyer disa herë që ta atë ta përsërit, e pastaj e ka mësuar: “Kur të hysh në namaz, shqipto tekbirin, pastaj lexo nga Kur’ani prej asaj që të vijnë më lehtë, pastaj shko në ruk’u dhe në të qetësohu plotësisht, pastaj ngrihu gjersa plotësisht të drejtohesh, e pastaj shko në sexhde që në të qetësohesh dhe rri ulur në mënyrë që plotësisht të qetësohesh. Kështu vepro në çdo reqat.”[62]

Imam Muslimi në Sahihun e tij shënon transmetimin e Ebu Hurejres, r.a., i cili, gjithashtu, shkon në favor të qëndrimit të medh’hebit hanefi. Pra, në atë hadith theksohet vetëm leximi i Kur’anit, pas mos u theksuar konkretisht leximi i Fatihasë. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., thotë: “Nuk ka namaz pa lexim / kiraet.”[63]

Madje, sipas mendimit të Ahmedit, Asimit dhe disa juristëve të tjerëve, namazi është i plotë edhe pa lexim të Kur’anit në të. Këtë e vërtetojnë me deklaratën e Ali b. ebi Talibit, r.a., të cilën ia ka thënë një njeriu, i cili ka pranuar se e ka falur namazin por që në të nuk ka lexuar gjë nga Kur’ani. Aliu, r.a., e ka pyetur: A e ke bërë si duhet ruk’un dhe sexhden? Është përgjigjur: Po! Atëherë, Aliu, r.a., i ka thënë: Namazin e ke në rregull![64]


e) Shqiptimi i fjalës amin pas leximit të Fatihasë.

Fjalën amin, pas përfundimit të këndimit të Fatihasë, duhet që ta shqiptojnë edhe imami edhe ata të cilët falen pas tij, si edhe ato të cilët falen vetëm. Tek hanefitët dhe malikitët shqiptimi i fjalës amin bëhet në vete, ndërsa tek sha’fitët dhe hambelitët me zë, te ato namaze në të cilat imami këndon me zë, kurse në vete, te ato namaze në të cilat imami këndon pa zë.[65]

Shqiptimi i fjalës amin mbështetet në hadithin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., të cilin e transmeton Ebu Hurejre, r.a., ku thuhet: “Kur imami e shqipton: gajri-l-magdubi ‘alejhim ve le-d-dal-lin!, ju thoni: amin! Atij që shqiptimi i fjalës amin i përputhet me shqiptimin e melaqeve do t’i falen mëkatet të cilat i ka bërë![66] Me faljen e mëkateve mendohet mbi mëkatet e vogla, e jo mbi të mëdhatë, pasi që për faljen e mëkateve të mëdha është kusht pendimi.[67]

Ebu Hanife dhe dijetarët e Kufes konsiderojnë që fjalën amin duhet ta shqiptojnë në vete edhe imami edhe ata të cilët falën pas tij.


Ata i përmbahen hadithit të Alkame b. Vailit, në të cilin thuhet se babai i tij Vaili, r.a., është falur pas të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., dhe kur e ka mbaruar Fatihanë, fjalën amin e ka shqiptuar qetazi. [68]

Në transmetimin tjetër të Vailit, r.a., qëndron: Kur Aliu dhe Abdullah b. Mesudi faleshin, nuk e shqiptonin me zë: E’udhun, Bismil-lahin dhe aminin![69]

Në transmetimin e tretë të Vailit, r.a., thuhet se: “Kur Omeri dhe Ali b. Ebi Talibi faleshin, nuk e shqiptonin me zë as Bismil-lahin as aminin.[70]

Në një transmetimin thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., pas përfundimit të Fatihasë, e ka shqiptuar aminin aq sa e kanë dëgjuar ata që kanë qenë duke u falur në saffin e parë.[71]

Të shqiptuarit e fjlës amin tek dijetarët islam kuptohet në forma të ndryshme. Nga imam Bejhekiu, i cili shënon transmetimin e Ata’it ku thuhet: Në këtë xhami i kam takuar 200 as’habë, të cilët, kur imami e mbaronte Fatihanë, ashtu me zë e shqiptonin aminin sa që jehonte (xhamia).[72] Mirëpo, Imam Taberi, pohon se shumica e as’habëve dhe tabi’inëve fjalën amin e kanë shqiptuar në vete.[73]

Ibrahim en-Neha’i thotë: Në namaz katër gjëra lexohen në vete: Subhaneke, Eudhja, Bismil-lahi dhe amini.[74]

Në transmetimin e Ibn Mes’udit, r.a., theksohet se imami pesë gjëra i lexon në vete dhe ato: Subhaneke, Eudhja, Bismil-lahi, amini, Rab-bena leke-l-hamd dhe et-tesheh-hudi.[75]

Sipas shkollës juridike hanefite është mirë që amini të shqiptohet në vete, pasi që kjo është dua, kurse leximi i duave në vete bën pjesë në sunnet.[76]

Kjo mbështetet edhe në ajetin kur’anor:

“Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.”[77]

Në fund, është e rëndësishme, të përmendet se nga Ebu Hanife, siç e vëren El-Mubarekfuri, në pikëpamje të shqiptimit të fjalës amin përcillen dy qëndrime: i pari, i cili është identik me qëndrimin e shumicës, d.m.th., që amini duhet të shqiptohet me zë, dhe i dyti, që kjo fjalë të shqiptohet në vete.[78]
 

ë) A lexon muktediu pas imamit?

Ekzistojnë tri qëndrime të ndryshme në lidhje me leximin e atij që faljet pas imamit:

1- Muktediu do të lexoj Fatihanë vetëm në ato namaze në të cilat imami lexon në vete,

2- Muktediu nuk do të lexoj assesi pas imamit, dhe

3- Është e pëlqyer që muktediu të lexoj edhe atëherë kur falet pas imamit.[79]

Hanefitët konsiderojnë që muktediu, në kijam, nuk do të lexoj asgjë nga Kur’ani, as edhe Fatihanë.

Kjo mbështetet në transmetimin e Xhabir b. Abdullahut, Abdullah b. Omerit, Ebu Seid el-Hudriut, Ebu Hurejres, Abdullah b. Abbasit dhe Ennes b. Malikut, r. anhum, në të cilin thuhet: “Kush falet pas imamit, leximi i imamit njëkohësisht është edhe lexim i tij![80] Deklarata të njëjta kanë dhënë edhe rreth 80 as’ahbë.


Hafiz Tahaviu nxjerr transmetime të shumta të cilat shkojnë në favor të qëndrimit të parë, të dytë dhe të tretë. Krahas transmetimit të theksuar më para, i cili shkon në favor të shkollës juridike hanefite, ai shënon transmetimin e Ali b. Ebi Talibit, r.a., me sened të plotë, në të cilin thuhet: Kush lexon pas imamit, ai nuk vepron sipas natyrës së pastës/ fitretu![81]

Alkame transmeton se Abdullah b. Mes’ud, r.a., ka thënë: Ku është ajo e mirë që atij, i cili pas imamit lexon Kur’an, t’i mbushet goja me dhe![82]

Abdullah b. Miskem thotë se e ka pyetur Abdullah b. Omerin, r.a., Zejd b. Thabitin dhe Xhabir b. Abdullahin, r. anhum, për atë se a duhet të lexohet pas imamit në namaz, dhe i janë përgjigjur: Në namaz (vetëm gjatë qëndrimit të këmbë, shën. i përkth.) mos lexoni asgjë pas imamit.[83]
Ebu Hamza thotë se e ka pyetur Ibn Abbasin, r.a.: A të lexoj pas imamit? Është përgjigjur: Jo! [84]

Nafi’ transmeton se, kur është pyetur Abdullah b. Omeri, r.a.,: A të lexoj dikush pas imamit?, është përgjigjur: Kur dikush prej jush falet pas imamit, i mjafton leximi i imamit! Vetë Abdullah b. Omeri, r.a., nuk ka lexuar pas imamit![85]

Është interesante se imam Ahmedi, për hadithin të cilin e cituam më herët: Nuk ka namaz ai i cili nuk e lexon Fatihanë!, konsideron se ka të bëj vetëm me atë i cili falet vetëm, e jo pas imamit. Ai si argument për këtë merr hadithin e Xhabir b. Abdullahit, r.a., në të cilin thuhet: Kush duke u falur, madje në një reqatë nuk e lexon Fatihanë, ai nuk ka namaz, me përjashtim nëse është falur pas imamit.[86] Megjithatë, edhe krahas kësaj, siç konkludon imam Tirmidhi, Imam Ahmedi e ka zgjedhur leximin e Fatihasë, e edhe atëherë kur personi falet pas imamit.[87]

Ndërkaq, Ebu Hanife konsideron se pas imamit nuk duhet asgjë të lexohet, pavarësisht asaj se a ka të bëj me namazet në të cilat lexohet me zë, apo me namazet në të cilat lexohet pa zë.[88]

Këtë shkolla juridike hanefite, krahas haditheve të cilat u theksuan më parë, e argumentojnë me ajetin kur’anor:

“Kur lexohet Kur'ani, ju dëgjojeni atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë.”[89] Hanefitët fjalët kur’anore: festeme’uu lehu / ju dëgjojeni i kanë komentuar si obligim për muktediun që ta dëgjoj leximin e imamit në namazin kur ai lexon me zë, kurse fjalët kur’anore: ve ensituu/ dhe heshtni si ndalesë për leximin e muktediut në namazet në të cilat imami lexon në vete. [90]


f) Leximi pas Fatihasë

Sipas shkollës juridike hanefite, pas Fatihasë, është vaxhib të lexuarit e ndonjë kaptine nga Kur’ani, ose tre ajete të shkurtra, ose një ajet të gjatë në namazet farze në dy reqatet e parë, ndërsa në vitr dhe në namazet sunnete në çdo reqatë.[91]

Kjo mbështetet në hadithin e Ebu Katades, r.a., i cili thotë: I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në dy reqatet e para të namazit të drekës ka lexuar Fatihanë dhe nga një kaptinë prej Kur’anit, kurse në dy reqatet e fundit e ka lexuar vetëm Fatihanë.[92]

Ebu Se’id el-Hudriu, r.a., thotë: Na është obliguar që ta lexojmë Fatihanë dhe atë që na vije më lehtë.[93] Pra, diçka që dinë prej kaptinave, përpos Fatihasë.

Transmetohet se Ibn Abbasi, r.a., ka lexuar Fatihanë dhe një ajet prej sures Bekare në çdo reqatë. Pas përfundimit të namazit, është kthyer ndaj xhematit dhe u ka thënë: Allahu i Lartësuar thotë: Lexonie atë që u vije më lehtë! Pas këtij transmetimi Imam Darekutni në Sunen thotë: Ky transmetim është argument për ata të cilët konsiderojnë se këto fjalë të të Lartësuarit kanë të bëjnë me leximin pas Fatihasë.[94]


 


Komentoni temën

Date: 2011-04-15

By: shkelzen79@gmail.com

Subject: Namazi

ne kete rast nuk kam ndonje koment te veqant po nje skjarim:
a ka mundesi te permblidhet shkurt fazat e namazit prej "njetit" e deri tek deri tek selami, sillja e tehspive dhe lutja. shum me kishit ndihmu nese do ti kisha keto te permbledhura.
Zoti ju shperbleft.

—————

Date: 2009-10-01

By: arbnor

Subject: tema

o robte e allahut kini frike allahun per ate qe thoni per ate qe beni kini frik allahun naten dhe diten

—————