Kur linde qave, por të tjerët qeshën. Jeto në mënyrë të atillë që, kur të vdesësh, ti të shkosh i qeshur, kurse të tjerët të qajnë për ty. /www.shkelqimajdini.tk/


Mënyra e faljes së namazit 2

 

Shkuarja në ruku’ (Kërrusja në namaz)

a) Shqiptimi i tekbirit gjatë shkuarjes në ruku’

Gjatë shkuarjes në ruku’, sipas medh’hebit hanefi, shqiptohet tekbiri, në bazë të transmetimit të Abdullah b. Mes’udit, Abdullah b. Omerit, Abdullah b. Abbasit, Ebu Hurejres, Ebu Malikut, Ebu Musës, Imran b. Husajnit dhe Vail b. Huxhirut.[95]

Të gjitha këto transmetime kanë përmbajtje të njëjtë, kurse në to qëndron se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., para çdo lëshimi dhe drejtimi, ngritjeje dhe uljeje e ka shqiptuar tekbirin. Kështu kanë vepruar edhe Ebu Bekri dhe Omeri![96]


Imam Buhari shënon transmetimin e Imran b. Husajnit, r.a., i cili ka treguar se në Basra është falur pas Aliut, r.a., dhe se ai e ka bërë që t’ia kujtoj namazin të cilin e kanë falur me të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s. Ka përmendur se e ka shqiptuar tekbirin sa herë që është ngritur dhe lëshuar.[97]

b) Si të bëhet ruku’aja?

Sipas shkollës juridike hanefite ruku’aja bëhet në atë formë sa që rrafshohet shpina dhe me gishtërinjtë e zgjeruar kepen gjunjët dhe largohen nga ijët.[98]

Formën e këtillë të faljes hanefitët e mbështesin në transmetimet e Buhariut, Muslimit, Tirmidhiut, Ebu Davudit, Ahmedit, Hakimit, Ibn Hudhejmes, Ibn Hibbanit, ejt.[99]

Në transmetimin e Humejdit, r.a., qëndron: “Kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e bënte ruku’në i vendoste duart mbi gjunjë, sikur se dëshironte që t’i mbuloj, dhe i largonte ato prej ijëve.”[100]

c) Çfarë lexohet në ruku’?

Sipas medh’hebit hanefi, në ruku’ do të lexohet tri herë: Subhane Rabbije-l-adhim! I madhëruar është Allahu i Madhërisëhm. Ky është minimumi. Nëse lexohet më shumë herë, kjo është më mirë. Megjithatë, kur imami udhëheq xhematin, për të është mekruh shqiptimi i më shumë herëve të kësaj duaje, për shkak të nevojave eventuale të xhematit të tij, sikur që janë të moshuarit, të sëmurët dhe të ngjashëm.[101]

Kjo mbështetet në hadithet e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., në të cilat pohohet se tri herë në ruku’ e ka shqiptuar Subhane Rabbije-l-adhim.[102]

Tirmidhiu e shënon transmetimin e Abdullah b. Mes’udit, r.a., në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Kur dikush prej jush shkon në ruku’ dhe tri herë e lexon: Subhane Rabbije-l-adhim!, ky është minimumi i nevojshëm.”[103]
Imam Ebu Hanife, shqiptimin e këtyre fjalëve e ka rekomanduar prej në 3 deri në 10 herë, kurse imamët Ebu Jusufi dhe Muhamedi nga 7 herë.[104]

ç) Çka lexohet kur ngrihet koka prej ruku’së?

Personi, duke u ngritur prej ruku’së, do të shqiptoj: Semi’allahu li men hamideh! / Allahu e dëgjon atë i cili e falënderon!, e pastaj: Rab-bena leke-l-hamd! / Zoti ynë, falënderimi të takon Ty. Nëse falet me xhemat, atëherë imami do ta shqiptoj atë të parët, kurse muktediu këtë të dytën.[105]

Këtë qëndrim hanefitët e mbështesin në transmetimin të cilin e shënon imam Buhari në Sahih, nga Ebu Hurejre, r.a., në të cilin i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., thotë: “Kur imami thotë: Semi’allahu li men hamideh!, ju thoni: All-llahum-me rab-bena leke-l-hamd!, sepse atij të cilit shqiptimi i këtyre fjalëve i korrespondon me shqiptimin e melekut, do t’i falen mëkatet e bëra në të kaluarën.”[106]

d) Pozita e shpinës në ruku’

Shpina në ruku’ duhet që të jetë në pozitë të drejtë, në mënyrë drejtpërdrejtë me kokën, të cilën nuk duhet as ta ngremë as ta ulim.[107]

Ebu Mes’ud el-Ensari, r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., thotë: “Nuk është i plotë namazi në të cilin personi nuk e drejton shpinën në ruku’ dhe sexhde![108]

Transmetim të njëjtë shënojnë edhe Ahmedi dhe Ibn Eni Shejbe.[109]

Ebu Berdha, r.a., në një transmetim thotë: I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., është falur në atë mënyrë që, sikur t’i vendohej ujë në shpinën e tij, do ta mbante atë.[110]

Ahmedi në Musnedin e tij dhe Ebu Davudi në Kitabu-l-merasilu¸ shënojnë transmetimin e njëjtë të Ali ibn Ebi Talibit, r.a., në të cilin thuhet: Kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s, e bënte ruku’në, shpina i ishte në atë mënyrë të drejtë që, sikur t’i vendohej gota e mbushur me ujë, nuk do t’i derdhej![111]

e) Të qetësuarit në ruku’u

Të qetësuarit në ruku’u është detyrë obligative/ farz, madje qoftë edhe aq sa të mundet të thuhet njëherë: Subhane Rabbije-l-adhim! Kjo, gjithashtu, vlen edhe për momentin e kthimit nga ruku’a. Ky është qëndrimi i Ebu Jusufit, Malikut, Shafi’ut dhe Ahmedit. Ebu Hanife dhe disa juristë të tjerë këtë e konsiderojnë sunnet.[112]

Ky qëndrim hanefit (mbi të qetësuarit në ruku’) mbështetet në hadithin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., i cili ka thënë se njerëzit më të këqij janë ata të cilët e vjedhin namazin e vet. Në pyetjen e as’habëve: Si mund të vidhet nga namazi ynë? Ai është përgjigjur: Kur tërësisht nuk plotësohet ruku’ja dhe sexhdeja![113]

Imam Buhari shënon transmetimin e Ebu Hurejres, r.a., në të cilin thuhet se një beduin është falur dhe se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., tri herë e ka kthyer që ta përsëris faljen, pasi që nuk është qetësuar në namaz, ashtu që në fund t’i thotë: “Kur të hysh në namaz, shqipto tekbirin, pastaj nga Kur’ani lexo nga ajo që të vjen më lehtë, pastaj shko në ruk’u dhe në të qetësohu plotësisht, pastaj ngrihu gjersa plotësisht të drejtohesh, e pastaj shko në sexhde që në të të qetësohesh dhe rri ulur në mënyrë që plotësisht të qetësohesh, pastaj shko në sexhde në mënyrë që në të mirë të qetësohesh dhe kështu vepro për gjatë gjithë namazit.”[114]

Sexhde-ja


a) Mënyra e të shkuarit në sexhde

Kur shkohet në sexhde, sipas shkollës juridike hanefite, së pari lëshohen gjunjët, pastaj duart, kurse gjatë kthimit nga sexhdeja, bëhet e kundërta.[115]
Kjo mbështetet në hadithin e Vail ibn Huxhriut, r.a., i cili ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., se, kur shkonte ne sexhde, i lëshonte gjunjët e tij para duarve, ndërsa kur kthehej nga sexhdeja, i ngrinte duart para gjunjëve.”[116]

Në bazë të këtij hadithi, krahas Ebu Hanifes, shumica e dijetarëve islam, mes të cilëve Omer b. El-Hattabi, r.a., Ibrahim en-Neha’i, Muslim b. Jesar, Sufjan eth-Theuri, Ahmed b. Hanbel, Ishak b. Rahevejh, etj., mbajnë qëndrimin se, gjatë shkuarjes në sexhde, së pari duhet në tokë të lëshohen gjunjët, e më pas duart, ndërsa gjatë kthimit nga sexhdeja e kundërta, së pari ngrihen duart, pastaj gjunjët.[117]

Transmetimet mbi të lëshuarit e duarve të Dërguarit, s.a.v.s., e pastaj gjunjët, me siguri kanë të bëjnë në periudhën kur ai u moshua dhe u dobësua.

b) Fytyra vendoset ndërmjet pëllëmbëve / duarve

Qëndrimi i shkollës juridike hanefite është se në sexhde fytyra vendoset ndërmjet duarve, gjegjësish pëllëmbëve, ashtu që duart të rrinë kundruall veshëve.[118]
Imam Tirmidhiu në Sunenin e tij shënon transmetimin e Ibn Is’hakut në të cilin thotë: E kam pyetur El-Bera’ b. Azibin: Ku e vendoste fytyrën i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., kur e bënte sexhde? M’u përgjigj: Ndërmjet duarve / pëllëmbëve të tij.[119]

Pra, ku të vendosen pëllëmbët në sexhde: kundruall veshëve, sikur që pohojnë disa, apo, kundruall shpatullave, ashtu sikur që konsiderojnë disa të tjerët? Në këtë pyetje përgjigjet hafiz Tahaviu dhe përfundon se kjo pyetje është identike me çështjen e ngritjes së duarve në namaz. Kështu që, ata të cilët konsiderojnë se duart te tekbiri fillestar duhet ngritur kundruall veshëve, ata këtë e konsiderojnë edhe në sexhde, gjersa dijetarët të cilët mbajnë qëndrimin se duart te tekbiri fillestar duhet ngritur kundruall shpatullave, ata konsiderojnë se ato edhe në sexhde duhet vendosur kundruall shpatullave.[120]

Hanefitët këtë pohim e mbështesin në hadithin e Vail ibn Huxhrit, r.a., në të cilin thuhet:
Kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., bënte sexhde, duart/pëllëmbët i vendoste kundruall veshëve.[121]

c) Balli dhe hunda lëshohen në tokë

Balli dhe hunda duhet që të prekin tokën gjatë të lëshuarit në sexhde.[122]
Kjo mbështetet në hadithin e Ebu Humejde Es-Sa’idiut, r.a., i cili thotë: “Kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e bënte sexhden, ai në tokë lëshonte hundën dhe ballin e tij.[123]

ç) Bërrylat duhet të largohen prej trupit

Gjatë kryerjes së vet aktit të sexhdesë, mashkulli do ta ndaj barkun prej kofshëve, kurse bërrylat do t’i largoj nga trupi dhe do t’i ngrij ato prej tokës, gjersa femrat këtë nuk do ta bëjnë.[124]

Kjo mbështetet në transmetimin e Abdullah b. Malik b. Buhajnit, në të cilin thuhet i Dërguari, s.a.v.s., gjatë faljes i ka larguar krahët aq nga trupi sa edhe i është shfaqur bardhësia e nënsqetullave të tij.[125]
Në transmetimin e Muslimit, nga Mejmuneja, r.a., thuhet: I Dërguari, s.a.v.s., ashtu e bënte sexhdenë, sa që nëse gjallesa do të donte të kalonte për mes krahëve të tij, do ta bënte atë.[126]

Në transmetimin e Enesi b. Malikut, r.a., qëndron së i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë si në vijim: Realizoni sexhdenë sikur që duhet, askush prej jush të mos i lëshoj krahët në tokë, ashtu siç bëjnë qentë.[127]

Si argument, se femra duhet që krahët t’i lëshoj (për tokë, M.A.) dhe t’i puthit barkun me kofshët e saja, për shkak të fshehjes së pjesëve të trupit të cilët mund të jenë provokues, hanefitët përmendin transmetimin e Jezid b. Ebi Habibit, në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka rastisur përpara dy grave të cilat janë falur dhe i ka urdhëruar që me trupin e tyre ta puthitin tokën, duke pohuar se femra në këtë rast nuk është sikur mashkulli.[128]

Ali b. Ebi Talibi, r.a., lajmëron në një transmetim: Kur femra bën sexhdenë, le të kujdeset, le të mbështetet në kyçe (kuke) dhe le t’i puthit kofshët e saj me barkun e saj.[129]

d) Gishtërinjtë duhet të pozicionohen në drejtim të Kibles

Personi i cili bën sexhden, gishtërinjtë, duart dhe këmbët do t’i kthej në drejtim të Kibles.[130]
Ky akt është mbështetur në sunnetin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Në transmetimin e El-Bera’ b. Azibit, r.a., thuhet: Kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., bënte sexhden, i vendoste shuplakat dhe gishtërinjtë në tokë dhe i kthente në drejtim të Kibles.[131]
Aishja, r.a., transmeton gjithashtu: I Dërguari, s.a.v.s., i kthente gishtërinjtë në drejtim të Kibles kur bënte sexhdenë.[132]

Buhariu, në Sahihun e tij, shënon hadithin e të Dërguarit, s.a.v.s., nga Ebu Humejde Es-Sa’idiju, r.a., në të cilin thuhet se personi në sexhde, majat e gishtërinjëve të këmbëve, do t’i kthej në drejtim të Kibles.[133]

e) Çfarë lexohet në sexhde?

Gjatë sexhdesë shqiptohet tri herë: Subhane Rab-bije-l-e’ala/ I lartësuar është Allahu i Madhërishëm. Ky është minimumi. Pëlqehet edhe më shumë prej kësaj kur njeriu falet vetëm, por nëse është imam, atëherë, për shkak të nevojave eventuale të xhematit, nuk preferohet që kjo të bëhet më tepër se tri herë.[134]

Ky qëndrim mbështetet në hadithin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., që prej tij e transmeton Abdullah b. Mes’udi, r.a.: [/b]Kur dikush prej jush të bëj sexhdenë, le të thotë tri herë: Subhane Rab-bije-l-e’ala!, kurse ky është minimumi i domosdoshëm dhe me të është plotësuar sexhdeja e tij.[/b][135]

f) Pushimi ndërmjet dy sexhdeve

Sipas medh’hebit hanefi, personi, pas sexhdesë së parë, do të ngrihet krahas shqiptimit të tekbirit, duart do t’i vendos në kofshët e tij, do të ri ulur pak dhe, krahas tekbirit, do të kthehet në sexhdenë e dytë, të cilën do ta bëj sikur edhe të parën.[136]

Ky pushim ndërmjet dy sexhdeve, të cilën e përfaqëson shkolla juridike hanefite, është i mbështetur në hadithin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Kështu që, në hadithin të cilin e kemi cituar më herët, i cili trajton namazin e atij personi i cili u fal gabimisht dhe të cilin i Dërguari, s.a.v.s., e ktheu disaherë që ta përsëris namazin, thuhet: “...e pastaj shko në sexhde që në të qetësohesh dhe rri ulur në mënyrë që plotësisht të qetësohesh, pastaj përsëri bën sexhdenë dhe në të qetësohu mirë.”[137]

Ulja në namaz/ et-tesheh-hud

Personi, pas rekatit të dytë te namazet fareze që janë tre dhe katër rekatësh, te namazet sunnete katër rekatësh, si edhe te vitër-namazi, do të ulet në uljen e parë, ndërsa në mbarim të namazit në uljen e fundit.[138]

a) Mënyra e uljes

Ebu Hanife konsideron që edhe në uljen e parë edhe në uljen e fundit ulja do të bëhet në atë mënyrë që shputa e këmbës së majtë do të shtrihet (mënjanë) duke u ulur mbi të, ndërsa shputën e këmbës së djathtë do ta mbështes mbi gishtërinjtë e lakuar, duke i kthyer kah Kibleja, gjersa dorën e djathtë do ta vë mbi gjurin e djathtë, kurse të majtën mbi gjurin e majtë.[139]

Imam Buhariu shënon transmetimin e Ebu Humejde Es-Sa’diju, r.a., i cili thotë: I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., është ulur pas dy rekatëve në këmbën e majtë, derisa të djathtën e ka mbajtur drejtë.[140]
Në transmetimin e Tirmidhiut, të cilin e vlerëson si hasen-sahih, nga i njëjti sahabi përcillet transmetimi, në të cilin pohohet: Unë më së miri mes jush e njoh namazin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., është ulur – për shkak të tesheh-hudit- ashtu që ka shtrirë këmbën e majtë, ndërsa të djathtën e ka drejtuar duke i kthyer gishtërinjtë kah Kibleja. Dorën e djathë e ka vendosur mbi gjurin e djathtë, ndërsa të majtën në gjurin e majtë.[141]

Një transmetim të njëjtë shënon Tirmidhiu edhe nga Vail ibn Huxhriut, r.a., duke e vlerësuar atë si hasen-sahih.[142]
Mënyrën e këtillë të uljes së parë dhe të dytë në namaz e përvetëson, sikur që e vëren imam Tirmidhiu, shumica e dijetarëve islam. Krahas Ebu Hanifes, ky qëndrim është edhe i Sufjan Eth-Theuriut, Ibn Mubarekut dhe dijetarëve të Kufes.[143]
Shumica e imamëve të tjerë pajtohen me qëndrimin hanefi, përveç se konsiderojnë që në uljen e fundit, krahas shtrirjes së këmbës së majtë dhe drejtimit të shputës së këmbës së djathtë, sikur që rekomandojnë hanefitët, ata kërkojnë edhe uljen në tokë, e jo në këmbën e majtë, siç rekomandojnë hanefitët.[144]

b) Të lexuarit gjatë uljes

Sa i përket tekstit të Et-tehijjatit[i], i cili lexohet gjatë uljes / [i]et-tesheh-hud, transmetohen shumë transmetime të sakta nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. Kështu p.sh., El-Ajni, komentuesi i njohur i Sahihut të Buhariut, shënon, madje, trembëdhjetë variante të tekstit të njohur të Et-tehijjatit i cili lexohet gjatë uljes në namaz.[145] Shejh Muhhmed Nasirudin el-Albani shënon pesë versione të sakta të këtij leximi të cilat, në përmbledhjet e ndryshme të haditheve, janë përcjellë nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., nëpërmes as’habëve të njohur: Abullah ibn Mes’udit, Abdullah b. Abbasit, Abdullah b. Omerit, Omer b. el-Hattabit dhe Ebu Musa’a el-Esh’ariut.[146]

Megjithatë, teksti më i vërtetë, i cili lexohet në tesheh-hud, sipas vlerësimit të Tirmidhiut, Hattabiut, Ibn Abdulberrit dhe Ibn Mundhirit, është transmetimi i Abdullah b. Mes’udit, r.a.[147] Imam Tirmidhiu thekson që sipas tij kanë vepruar shumica e dijetarëve nga gjenerata e sahabëve dhe tabi’inëve, ndërsa ky është edhe mendimi i Sufjan eth-Theuriut, Abdullah b. Mubarekut, Ahmed ibn Hambelit dhe Is’ak b. Rehavejhut.[148]

Duhet të përmendet se Ebu Hanife zgjodhi, pikërisht, versionin më të vërtetë të tekstit, që ne e quajmë Et-Tehijjatu, dhe i cili mbështetet në hadithin e Abdullah b. Mes’udit, i cili është: “I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., na ka mësuar që në gjatë uljes, pas rekatit të dytë, të lexojmë: ‘Et-tehij-jatu lil-lahi ves-salavatu vet-tehj-jibatu, es-selamu ‘alejke ej-juhen-nebij-ju ve rahmetull-llahi ve berekatuhu, es-selamu ‘alejna ve ‘ala ‘ibadil-lahis-salihin, eshhedu en la ilahe il-lall-llah, ve eshhedu en-ne muhammeden ‘abduhu ve rasuluhu! Qofshin për Allahun të gjitha nderimet, ibadetet dhe falënderimet, ndërsa, mbi ty o Dërguar, qoftë selami, rahmeti dhe bereqeti. Qoftë paqja mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përvec Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij.[149]

Nëse analizohen tekstet e transmetimeve të tjera do të vihet deri te përfundimi që këtu ekzistojnë vetëm se dallime të vogla dhe të parëndësishme.
Megjithatë, ekzistojnë kuptime të ndryshme sa i përket shqiptimit të selamit mbi të Dërguarin, s.a.v.s., në tesheh-hud. Disa konsiderojnë se pas vdekjes së të Dërguarit, s.a.v.s., kurse për këtë përmendin edhe transmetime të caktuara, nuk mundet që të shqiptohet më: Es-selamu ‘alejke ej-juhen-nebij-ju/ Selamet qofshin mbi ty, o Dërguar!, porse, Es-selamu ‘alen-nebij-ji / Selami qoftë mbi të Dërguarin. Kjo, sipas tyre, është praktikuar vetëm se përgjatë jetës së të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s.[150]
Megjithatë, dijetarët e shkollës juridike hanefite refuzojnë një qëndrim të tillë, duke theksuar disa argumente në favor të qëndrimit të tyre.

1- Transmetimet që i shënojnë kundërshtarët e hanefitëve janë mekuf, andaj edhe nuk ka mundësi që as për së afërmi të krahasohen me transmetimet merfu’, që në këtë domen i nxjerrin dijetarët e qëndrimit hanefi.

2- I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në transmetime merfu’ në mënyrë konkrete e ka përmendur tekstin: Es-selamu ‘alejke ej-juhen-nebij-ju, që e kanë lexuar as’habët të cilët janë falur pas tij në xhami, dhe ata që kanë falur namaz vullnetar në shtëpitë e tyre, si dhe ata që ishin në rrugë dhe larg të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., andaj edhe ata nuk e përdorën veten e tretë: Es-selamu ‘alen-nebij-ji, porse atë sic ua kishte mësuar i Dërguari, s.a.v.s.: Es-selamu ‘alejke ej-juhen-nebij-ju.

3- Përgjigjen më të mirë ndaj kundërshtarëve të qëndrimit hanefi e ka dhënë Ibn Mes’udi, r.a., njeri nga as’habët e njohur dhe përcjellësi i transmetimit më të vërtetë, i cili u theksua më lartë, nga ky domen. Në të vërtetë, kur Abdullah b. Abbasi, r.a., këtë ia përmendi Abdullah b. Mes’udit, duke i thënë: Gjersa i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ishte gjallë, ne e shqiptonim: Es-selamu ‘alejke ej-juhen-nebij-ju. Ibn Mes’udi, r.a., i qe përgjigjur: Kështu e dimë dhe kështu na ka mësuar i Dërguari , s.a.v.s. [151] Ibn Haxheri konsideron se me këtë Ibn Abbasi ka dashur të vërtetoj atë që ka përfaqësuar Ibn Mes’udi, r.a., andaj dhe pyetja e tij ishte në dritën e të provuarit dhe të vërtetuarit, e jo të qëndrimit të kundërt, gjë që përsëri përforcon qëndrimin hanefi në këtë pikëpamje.[152]

c) Të ngriturit e gishtit treguese

Të gjithë dijetarët e ehli-s-selefit njëzëri janë të mendimit se është sunnet, gjatë shqiptimit të shehadetit përgjatë kohës së uljes në namaz, ngritja e gishtit tregues të dorës së djathtë, duke dëshmuar, edhe në këtë mënyrë, se Allahu është Një. Nuk pajtohen vetëm se në formën dhe mënyrën e ngritjes së gishtit.
Ebu Hanife konsideron që gishti tregues duhet ngritur gjatë shqiptimit të “La ilahe...”, ndërsa të lëshohet kur të thuhet “...il-lall-llah.

I yni, Muhammed Se’id Serdareviq, këtë e përshkruan kështu: Kur të dëshirojmë të shqiptojmë “Eshhedu en la ilahe il-lall-llah”, lakojmë gishtin e vogël, gishtin e unazës dhe të mesmin, dhe majën e gishtit të madh, i lëshuar tërthorazi nën gishtin tregues, e vendosim në anën e nyjës së mesme, ndërsa gishtin e mesëm dhe të madhin i kthejmë si në rreth, në mënyrë që të preken majat, dhe kur të themi “...en la ilahe” do të ngremë gishtin tregues, ndërsa do ta lëshojmë kur të themi “...il-lall-llah”.[153]

Është me rëndësi të përmendet që dijetarët e shkollës juridike hanefite nuk lejojnë lëvizjen e gishtit tregues kur të shqiptohet shehadeti me të cilin vërtetohet teuhidi, siç e bëjnë disa shkolla të tjera juridike. Medh’hebi hanefi këtë qëndrim e mështet në transmetimin e Abdullah b. Zubejrit, r.a., në të cilin thuhet: I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka ngritur gishtin në tesheh-hud dhe nuk e ka lëvizur.[154]

Të lëvizurit dhe të luajturit e gishtit, që me të në mënyrë simbolikë dëbohet shajtani nga namazëfalësi, e kanë pranuar disa shkolla juridike. Megjithatë, Imam Tahaviu konsideron që ngritja e gishtit, pa lëvizjen dhe luajtjen e tij, është sunnet kurse të lëvizurit dhe të luajturit e gishtit është një lloj loje, andaj, sipas shkollës juridike hanefite, një veprim i këtillë është mekruh në namaz, përpos, nëse paqëllim, një herë apo dy herë lëvizet gishti.[155]
Transmetimin të cilin e theksojnë mbrojtësit e lëvizjes së gishtit, i cili është: Lëvizja e gishtit është frikësim për shajtanin, Ibn Haxheri e vlerëson si transmetim të dobët, në të cilin nuk mund të mbështetet.[156]

Imam Neveviu, transmetimin e theksuar nga Abdullah b. Zubejrit, r.a., të cilin hanefitët e marrin si argument, e vlerëson si të vërtetë, ndërkaq transmetimin nga Vail b. Huxhriu, r.a., që me të argumentohen ata që mbrojnë tezën e lëvizjes dhe luajtjes së gishtit, nuk e konsideron si të fortë.[157]

Et-Tehanevi, një muhadith i madh, përmend se kur një transmetim preferohet mbi tjetrin, atëherë përparësi i jepet atij që është më autentik, e që në këtë rast është transmetimi të cilin e pranojnë hanefitët. Ai më tuje pranon se në transmetimin e Ibn Zubejrit, r.a., tregohet ajo që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s.., e ka bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe kontinuitive, ndërkaq në transmetimin e Vailiut, r.a., të cilët, për qëndrim të tyre, të tjerët e kanë marr për bazë, shihet që i Dërguari, s.a.v.s., atë e ka e bërë vetëm një herë në një namaz, që nuk tregon në vazhdueshmëri dhe kontinuitet, ndaj dhe qëndrimi i shkollës juridike hanefite, sipas tij, është shumë i fortë dhe i bazuar.[158]

ç) Salavatet

Pasi leximit të Et-Tehij-jati, është sunnet që në uljen e fundit në namaz të lexohen salavatet.
Nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., janë transmetuar një numër versionesh të salavateve, të cilat lexohen në tesheh-hud.[159]
Shejh el-Albani shënon shtatë versione autentike të salavateve të cilat i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ithtarëve të tij, ua ka preferuar që t’i lexojnë.[160]

Shkolla juridike hanefite zgjodhi salavatin e të ashtuquajtur “ibrahimij-je”, i cili përmendet në transmetimin e Ka’b b. Uxhretit, r.a., në të cilin thotë: E pyetëm të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., o Dërguar i Allahut, ne jemi në dijeni si të dërgojmë selam mbi ty, mirëpo si të të dërgojmë salavat? Ai u përgjigj: “All-llahum-me sal-li ‘ala muham-medin ve ‘ala ali muhum-med, kema sal-lejte ‘ala ibrahime ve ‘ala ali ibrahime, in-neke hamidun mexhid. All-llahum-me barik ‘ala muham-medin ve ‘ala ali muham-med, kema barekte ‘ala ibrahime ve ‘ala ali ibrahim, in-neke hamidun mexhid.”[161]

d) Duatë

Është sunnet që pas salavateve, në uljen e fundit gjatë namazit, të lexohet ndonjë dua e cila nuk do të asoconte në të folur të njerëzve, si p.sh., dua me origjinë kur’anore:

رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.”[162], ose
رَبَّنَا اغْفِرْ لِي وَلِوَالِدَيَّ وَلِلْمُؤْمِنِينَ يَوْمَ يَقُومُ الْحِسَابُ
“Zoti ynë! Më falë (gabimet) mua dhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria!”[163]
رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِن لَّدُنكَ رَحْمَةً إِنَّكَ أَنتَ الْوَهَّابُ
“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na i drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh.”[164], ose dua me orgjinë profetike, si p.sh.:
“All-llahum-me in-ni dhalemtu nefsi dhulmen kethiren, ve la jegfirudh-dhunube il-la ente, fagfirli magfiraten min ‘indeke ver-hamni in-neke ente-l-gafurur-rahim. / O Allahu im, unë vetëm sime i kam bërë shumë padrejtësi. Vetëm Ti je ai që i falë mëkatet, andaj më falë dhe më mëshiro mua. Ti je, më të vërtetë, Ai që falë dhe Ai që mëshiron”[165], ose dua të tjera të ngjashme, madje edhe nëse ato nuk janë me origjinë kur’anore dhe profetike, mirëpo me kusht që të mos përkujtojnë në të folur të njerëzve, p.sh., All-llahum-me zev-vixhni fulana!/ O Allahu im, më bëj që të martoj filanin (apo filanen, M. A). [166]

Një qëndrim të këtillë shkolla juridike hanefite e mori në bazë të hadithit të Abdullah b. Mes’duit, r.a., në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s.., pas shpjegimit se si duhet lexuar Et-Tehij-jat[/]i¬ në tesheh-hud, ka thënë: Pastaj do të zgjedh duanë e cila i pëlqen dhe do ta lexojë atë.[167]

Në transmetimin të cilin e shënojnë në përmbledhjet e tyre të haditheve Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ahmedi, Ibn Huzejme dhe Hakimi, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., thotë që gjatë [i]tesheh-hudit
, krahas madhërimit dhe falënderimit ndaj Allahut dhe të dërgimit të salavateve ndaj Pejgamberit, a.s.: Le të lutet çdokush prej jush nga ajo që dëshiron![168]

Dhënia e selamit

Pas përfundimit të duave, jepet selami, së pari në të djathtë dhe pastaj në të majtë, duke shqiptuar: Es-selamu ‘alejkum ve rahmetull-llah. Nëse falet me xhemat, imami në mendim do t’u jap selam atyre që i udhëheq në namaz, si dhe melaqeve që janë të padukshme dhe qenieve shpirtërore. Ndërkaq, ai që falet pas imamit duhet që gjatë dhënies së selamit të mendoj tek imami dhe te ata që falen me imamin, gjersa ai i cili falet vetëm do të mendoj mbi melaqet.[169]

Për dhënien e selamit në anën e djathtë dhe në anën e majtë, duke u shprehur me fjalët: Es-Selamu ‘alejkum ve rahmetull-llah, nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., sikur që pohon Ibn Kajjim el-Xhevziu, kanë transmetuar pesëmbëdhjetë sahabij.[170]
Në këtë bazohet qëndrimi hanefi kur është në pyetje dhënia e selamit dhe ajo që shqiptohet në atë rast.

Do ta përmendim vetëm transmetimin e Abdullah b. Mes’udit, r.a., të cilin e shënojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe, Darekutni dhe Ibn Hibbani, në të cilin thuhet: “I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., jepte selam në anën e djathtë dhe në anën e majtë, duke thënë: Es-selamu ‘alejkum ve rahmetull-llah! Es-selamu ‘alejkum ve rahmetull-llah!”[171]

Hanefitët e konsiderojnë si bid’at (risi) shtimin e fjalës “ve berekatuhu” në fjalët e mëparë të theksuara, sikur veprojnë disa shkolla të tjera juridike. Për këtë Imam Neveviu thotë: “Shtesa ‘ve berekatuhu’ nuk është e vërtetuar me sunnet, edhe pse një gjë e tillë ka arritur nëpërmjet haditheve daif, në çfarë njoftojnë disa dijetarë, megjithatë, duke e pasur parasysh se nuk ka transmetime të besueshme, një gjë e tillë është bida’t. Përkundrazi, transmetimi i besueshëm tregon në obligueshmërinë e braktisjes së kësaj shtese: ‘ve berekatuhu’”.[172]

Gjithashtu, Ibn Salahu, muhadithi i madh dhe hafidhi i njohur i hadithit, pohon se një shtesë e këtillë nuk e ekziston aspak në librat e hadithit.[173]
Në versionin e hadithit të Muslimit, të cilin e transmeton Sa’d b. Vekkasi, r.a., qëndron: “E kam parë bardhësinë e fytyrës së të Dërguarit të Allahut, deri sa ai jepte selam në anën e djathtë dhe në aënën e majtë.”[174] Version të ngjashëm shënojnë edhe Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe, Darekutni, Taberani dhe Bejhekiu në veprën [/b]El-Ma’rife.[/b][174]

Në transmetimin e Ebu Davudit, Ahmedit, Hakimit dhe Bezzarit, i cili përcillet nga Semure b. Xhundub, r.a., thuhet: “I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., na ka urdhëruar që imamëve tanë dhe njërit tjetrit t’i japim selam”, kurse në një transmetim tjetër thuhet: “të mendojmë mbi njëri tjetrin.”[175]

(Falënderimet qofshin për Allahun e Madhërishëm!)


Komentoni temën

Date: 2011-04-15

By: isuf shaqiri

Subject: per reqate

me falni nje pyetje a mundet te na tregoni sa reqat i ka gjumaja the sa e shte e vlefshme te falen

—————