Kur linde qave, por të tjerët qeshën. Jeto në mënyrë të atillë që, kur të vdesësh, ti të shkosh i qeshur, kurse të tjerët të qajnë për ty. /www.shkelqimajdini.tk/


 

Fetva

 
DR.JUSUF EL-KARDAVI
U lind dhe u rrit në Egjipt. Para moshës dhjetëvjeçare bëri hifzin e Kur'anit, më pastaj vazhdoi mësimet në Universitetin e njohur të El-Az'harit.
Në vitin 1953 diplomoi në fakultetin e Usulud-dinit, ndërsa në vitin 1954 fitoi të drejtën për mësimdhënës. Ishte shembullor dhe në vitin 1973 doktoroi.
Pas diplomimit ushtroi disa funksione: ishte mbikëqyrës i çështjeve fetare pranë Vakëfeve Egjiptase, ishte drejtues i sektorit të kulturës islame pranë Az'harit, drejtor i institutit fetar në Katar, më pastaj shef i katedrës për studime islame pranë Fakultetit të Pedagogjisë dhe Sheriatit, pastaj dekan i Fakultetit të Sheriatit dhe drejtor i Qendrës për hulumtime mbi Sunnetin dhe Siren (biografinë e Pejgamberit) në Katar.
Pastaj u transferua për një kohë të shkurtër në Algjeri për t'i udhëhequr këshillat shkencore të universiteteve dhe instituteve islame. Që nga vitet e hershme të rinisë së tij u preokupua me çështjet e da'vetit, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mori pjesë në lëvizjen islame. Kjo bëri që disa herë të persekutohet, si p.sh., në vitin 1949, pastaj në vitin 1965. Për shkak të aftësive dhe prirjeve të llojllojshme ai dha kontribut në shumë lëmenj. Është ligjërues efikas i cili bind logjikën dhe trondit zemrën. Është dijetar i thelluar në shkenca të ndryshme islame, të cilën gjë e dëshmon çdonjëri i cili i lexon apo i dëgjon mendimet e tij. Njëkohësisht është edhe poet.
 
Nga personalitetet më të dalluara të cilët kanë ndikim të veçantë në jetën e tij është shehidi Hasan El-Benna, të cilin e cilësoi me këtë thënie: "Personaliteti me ndikim më të madh në jetën time mendimtare dhe shpirtërore është shehidi i madh Hasan El-Benna, themeluesi i një ndër lëvizjeve më të mëdha islame bashkëkohore".
Shkroi më tepër se pesëdhjetë vepra, të cilat hasën një prani të jashtëzakonshme nga bota islame, disa nga ato janë ribotuar nga dhjetë herë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Ata të cilët kanë shkruar për Kardavin e kanë cilësuar kështu: Ai është nga mendimtarët e rrallë islamë i cili i bashkon tekstet e qarta të Sheriatit dhe nevojat e kohës, dhe se veprat e tij dallohen me precizitetin e fakihut, shkëlqesinë letrare, vrojtime të reformatorit dhe ngrohtësitë e thirrësit.
Llogaritet nga dijetarët më të rëndësishëm bashkëkohor të cilët e përcollën ekonominë islame në sektorin e bankave islame. Dha kontribut në rrjedhat e reja shkencore që nga formimi i tyre me pjesëmarrjen e tij, me udhëheqjen e disa prej tyre dhe me praninë në komisionet mbikëqyrëse. Është anëtar në disa këshilla dhe institute shkencore dhe thirrëse, siç janë: Këshilli i Fikhut pranë Ligës Botërore Islame në Mekke, Këshilli Mbretëror për Studime të Civilizimit Islam në Jordani, në Qendrën për Studime Islame në Oksford, në Këshillin e nderit pranë Universitetit Islamik në Islamabad, në Organizatën për thirrje islame në Suedi... Është një ndër thirrësit e moderuar islam i cili arriti të bashkojë selefizmin dhe reformizmin, mes origjinalitetit dhe bashkëkohores, bëri balancim mes konstantes dhe variables, i cili nuk harron të kaluarën dhe nuk distancohet nga aktualja, e as që është indiferent ndaj së ardhmes.
 
 
 
 
A LEJOHET TË VEPROHET DIÇKA QË NUK PËRPUTHET ME KATËR MEDHHEBET?
Kjo është një pyetje që ma kanë shtruar disa lexues para më tepër se tridhjetë vitesh, përkitazi me disa studime nga lëmi i jurispudencës islame (fik’hut) që publikohen në revistën “Nuru-l-Islam”1, të cilat autori i titulloi: “Dispozitat e çuditshme”.

PYETJA: A lejohet të veprohet sipas këtyre dispozitave të çuditshme edhe nëse janë në kundërshtim me medhhebin (shkollën juridike) të cilën e ka zgjedhur lexuesi dhe e pason imamin e medhhebit përkatës, duke e ditur se disa prej këtyre dispozitave janë në kundërshtim me të katër medhhebet e njohura? Andaj, si mund të pranohet të veprohet sipas tyre me gjakftohtësi? A i ka hije një reviste të përgjithshme popullore që të publikojë këso dispozita të çuditshme e të shkaktojë debate dhe kacafytje në mes lexuesve të saj, kur ajo në anën tjetër thërret në unitet, vëllazëri dhe harmoni?
PËRGJIGJJA: Për t’ju përgjigjur si duhet dhe drejtë kësaj pyetjeje çdo lexues, të cilit i intereson feja dhe gjurmon për të vërtetën e pastër, duhet t’i ketë parasysh faktet vijuese:

Imamët e shumtë muxhtehidë (ekspertë):
E para: Drejtimet e të drejtës islame (fik’hut) nuk janë vetëm katër, siç mendojnë disa të pa thirrur, e, po ashtu, dijetarë nuk janë vetëm Maliku, Ebu Hanife, Shafiu dhe Ahmedi, por bashkëkohanikë të këtyre dijetarëve të përmendur kanë qenë shumë dijetarë tjerë të cilët kanë qenë në të njëjtin rang me këta në shkencë dhe ixhtihad, në mos edhe më të ditur dhe më ekspertë.
Lejth ibn Sa’di ishte bashkëkohanik i Malikut. Për të imam Shafiu thotë: “Lejthi ka qenë jurist më i madh se Maliku sikur mos e lenin pas dore nxënësit e tij.”
Në Irak ka qenë Sufjan Eth-Theuri, i cili si jurist nuk është nën gradën e Ebu Hanifes. Imam Gazaliu këtë e konsideron imamin e pestë në fik’h (të drejtën islame), e mos të flasim për peshën e tij shkencore në shkencën e hadithit, ashtu që e mori epitetin “Emiru-l-mu’minin fi-l-hadith” (Udhëheqës i muslimanëve në hadith).
Euzaiju ishte dijetari më i madh dhe pa rival i Shamit, dhe sipas medhhebit të tij atje u veprua mbi dyqind vjet.
Po ashtu, prej familjes së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kanë qenë imam Zejd ibn Aliu, vëllai i tij, imam Ebu Xhafer Muhamed ibn Ali el-Bakir, djali i tij, imam Xhafer Es-Sadik. Çdo njëri prej tyre ka qenë muxhtehid mutlak (muxhtehid i përgjithshëm), i pranuar te gjithë Ehli Sunneti.
Po ashtu, pas tyre edhe Taberiu ka qenë muxhtehid i përgjithshëm. Ka qenë imam në fik’h (drejtësinë islame), e po ashtu ka qenë imam edhe në shkencën e tefsirit (komentimit të Kur’anit), hadithit dhe historisë. Drejtimi i tij një kohë ka patur ithtarë, e pastaj ata janë shkrirë.
Para këtyre katër imamëve kanë qenë imamët dhe mësuesit e tyre. Bile mësuesit e tyre dhe mësuesit e mësuesve të tyre i përmendin me theks të veçantë si dijetarë të mëdhenj dhe kandila udhëzimi. Cili studiues nuk i njeh për shembull: Seid ibn Musejjibin, shtatë juristët e Medines, Tavusin, Ataun, Seid ibn Xhubejrin, Ikrimen, El-Hasenin, Ibn Sirinin, Shabijun, El-Esvedijun, Alkamen, Ibrahimin, Mesrukun, Mekhulin, Zuhrijun, si dhe shumë e shumë juristë tjerë të brezit të tabi’inëve (pasardhësve të shokëve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]) të cilët diplomuan në shkollën e sahabeve (shokëve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]), Zoti qoftë i kënaqur me ta. Dijetarët të cilët kanë ardhur pas kësaj gjenerate kanë qenë të nevojshëm për ta, e po ashtu para kësaj gjenerate që e zumë në gojë kanë qenë juristët e gjeneratës së sahabeve të cilët kanë diplomuar në shkollën pejgamberike, të cilët ishin dëshmitarë të shkaqeve të zbritjes së Kur’anit dhe thënies së haditheve, të cilët kanë patur kuptim më të çiltër të fesë, dhe të cilët kanë qenë më të ditur rreth qëllimeve të Kur’anit dhe më të udhëzuar në termet gjuhësore dhe domethëniet e tyre. Kush nuk e din fik’hun e Ebu Bekrit, Omerit, Aliut, Othmanit, Ibn Mes’udit, Ibn Abbasit, Ibn Omerit, Ubej ibn Ka’bit, Zejd ibn Thabitit, Muadh ibn Xhebelit, Aishes, si dhe figurave tjera të sahabeve?

Katër imamët nuk janë paraqitur të pagabueshëm:
E dyta: Katër imamët, sikundër edhe muxhtehidët tjerë, nuk kanë thënë për vete se janë të pagabueshëm, e as që për ata këtë e ka menduar ndonjë dijetar. Ajo që meriton të thuhet për ta është se kanë qenë muxhtehid, kanë gjurmuar pas të saktës në suaza të potencialit të tyre njerëzor, nëse ia kanë qëlluar kanë patur dy shpërblime, e nëse nuk ia kanë qëlluar kanë patur një shpërblim. Mu për këtë shkak shpeshherë edhe janë tërhequr prej mendimeve të tyre dhe kanë përkrahur mendime tjera në bazë të asaj që kanë nxjerrë prej argumenteve që i kanë hasur. Mu kjo është fshehtësia e transmetimit të më shumë varianteve prej një dijetari rreth një çështjeje. Dihet se Shafiu ka patur dy medhhebe: medhhebin e vjetër në Irak dhe atë të riun në Egjipt. Gati nuk ka çështje me rëndësi në fik’h pa mos patur Maliku dhe Ahmedi në të më tepër se një mendim të transmetuar. Ebu Hanifja disa ditë para vdekjes u tërhoq nga disa mendime të tij.
Para këtyre, Omeri [radijall-llahu anhu] në një vit jepte një përgjigje, kurse vitin e ardhshëm jepte përgjigje tjetër. Kur e pyetnin për shkakun e kësaj, thoshte: “Ajo ka qenë sipas asaj që kemi konstatuar atëherë, kurse kjo sipas asaj që konstatojmë tash!”
Nxënësit e Ebu Hanifes nuk janë pajtuar me të në qindra çështje, varësisht prej argumenteve që kanë pasur para veti, transmetimeve që u kanë arritur apo interesave dhe nevojave të njerëzve që i kanë hasur pas imamit (mësuesit) të tyre. Për këtë disa dijetarë të medhhebit hanefij shpesh thonë në çështjet diskutabile: “Kjo është nga ndryshimi i kohës dhe rredhanave, e jo fakteve dhe argumenteve.”2
Kur u takua nxënësi më i madh dhe më i shquar i Ebu Hanifes, Ebu Jusufi me imamin e Medines, Malik ibn Enesin, e pyeti atë për sasinë e sa’it (njësi matëse sh.p), vakëfet dhe zekatin e perimeve, kurse imam Maliku i tregoi se çka flet sunneti në këtë drejtim, e ai tha: “E pranoj mendimin tënd, o Ebu Abdullah (ka për qëllim imam Malikun), sikur ta kish parë mësuesi im (Ebu Hanifja) atë që e pashë unë, edhe ai do ta lente mendimin e vet sikur unë.” Ky pra është objektivizmi i cili është fryt i diturisë së vërtetë dhe ixhtihadit të qëlluar. Çdo gjë që përmendet prej dijetarëve të mëdhenj (imamëve) e konfirmon këtë të vërtetë të qartë.
Ebu Hanifja ka thënë: “Ky është mendimi im dhe kjo është më e arsyeshmja që e kam parë, e kush jep një mendim më të mirë se i yni, ne e pranojmë.”
Imam Maliku ka thënë: “Unë jam njeri, ia qëlloj dhe gaboj, andaj peshone mendimin tim në Kur’an dhe Sunnet.”
Imam Shafiu ka thënë: “Nëse një hadith i vërtetë nuk e përkrah mendimin tim, mendimin tim hudhne pas shpine; e kur ta shohësh argumentin transparent në një çështje, ai është mendimi im.” Prej thënieve të tij fascinante, që përmenden në këtë kontekst, është: “Mendimi im është i drejtë, por ka mundësi të jetë edhe gabim; dhe, mendimi i tjetrit është gabim, por ka mundësi të jetë edhe i drejtë.”

Nuk ka argument për domosdoshmërinë e imitimit të një medhhebi të caktuar:
E treta: Ndjekja e njërit prej këtyre medhhebeve dhe imitimi i prijësve të tyre në çdo gjë që thonë nuk është as farz e as sunnet. Andaj, fjala e disa autorëve: “Imitimi i një dijetari të caktuar është vaxhib (i domosdoshëm)”, është fjalë e papranueshme.
a. Kur’ani, Sunneti dhe Ixhmaja (konsenzusi i dijetarëve islam) kanë konfirmuar se All-llahu i Madhërishëm robërve të Vet ua ka obliguar t’i jenë të dëgjueshëm Atij dhe Pejgamberit të Tij, por këtij Ummeti nuk ia ka obliguar t’i jenë të dëgjueshëm ndonjë njeriu të caktuar në çdo urdhër dhe ndalesë, me përjashtim të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Po ashtu, të gjithë janë unik se asnjë njeri, me përjashtim të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk është i pagabueshëm në urdhrat dhe ndalesat e veta. Për këtë, transmetohet prej Ibn Abbasit, Ataut, Muxhahidit dhe Malik ibn Enesit se kanë thënë: “Çdo njeri, me përjashtim të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka mendime që i pranohen dhe mendime që i refuzohen. Prandaj, ndjekja e qenies së gabueshme në çdo gjë që e thotë është devijim i qartë, sepse me këtë çdo imam (dijetar) në mesin e ithtarëve të vet bëhet sikur Pejgamberi në mesin e popullit, ndërkaq kjo është ndryshim i fesë dhe i përgjason asaj për të cilën i ka qortuar All-llahu i Madhërishëm të krishterët në ajetin: “Ata i konsideruan ‘ahbarët’ (priftër jehudi) të tyre, ‘ruhbanët’ (murgjit krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos All-llahut…” (Et-Teube: 31) E kjo për shkak se i dëgjonin ata në ato që ua lejonin dhe që ua ndalonin, siç përmendet ky transmetim prej Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].  
b. Po ashtu, edhe vetë dijetarët kanë ndaluar të imitohen dhe asnjëherë nuk kanë menduar se ata do t’ua trasojnë njerëzve një rrugë (fe) e cila domosdo duhet të ndiqet, por, përkundrazi, na kanë tërhequr vërejtjen që mos t’i marrim mendimet e tyre pa argument. Imam Shafiu thotë: “Shembulli i atij i cili kërkon dituri pa argument është si shembulli i atij që bart dru natën. E ven në shpinë vandakun me dru, por në të ka gjarpër i cili e kafshon pa e hetuar.”
Muzeniju, në fillim të veprës së tij të versionit të shkurtuar, thotë: “Ky është një rrumbullaksim i diturisë së Shafiut dhe domethënies së mendimeve të tij. Këtë e bëra me qëllim që t’ia ofroj atij që dëshiron ta njohë fenë e vet dhe të jetë më i sigurtë, duke pasur parasysh se Imam Shafiu ka ndaluar të imitohet si ai, po ashtu edhe tjerët.”
Imam Ahmedi thotë: “Mos më imito mua, as mos e imito Malikun, Theurijun e Euzaijun, por bazohu atje ku janë bazuar edhe ata.” Po ashtu thotë: “Prej diturisë së cektë të njeriut është që në fe t’i imitojë të tjerët.”

Ebu Jusufi thotë: “Askujt nuk i lejohet ta thotë mendimin tonë pa mos e ditur prej ku e kemi thënë.”3
c. Imitimi dhe fanatizmi medhhebor është risi (bidat) në këtë Ummet, i cili është në kundërshtim me metodologjinë e selefit (të parëve) dhe tre shekujt e parë. Autori i librit “Tekvimu-l-edil-le” thotë:4 “Njerëzit e gjeneratave të para: sahabet, pasardhësit e tyre dhe të devotshmit, botëkuptimet e veta i ndërtonin mbi argumente. Ata bazoheshin në Kur’an, pastaj në Sunnet, pastaj në mendimet e atyre që erdhën pas Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], por që i vërtetonte argumenti. Kështu, ndodhte që personi në një çështje ta merr mendimin e Omerit, pastaj atë e refuzon me mendimin e Aliut në një çështje tjetër, dhe me këtë shihet se drejtimi në sheriat nuk ka qenë as i Omerit e as i Aliut, por ata thirreshin në Pejgamberin e All-llahut. Ata ishin gjeneratat të cilat i lavdëroi Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ata e shikonin argumentin, e jo dijetarët dhe veten. Por, kur perendoi devotshmëria nga pjesa dërrmuese në shekullin e katërt dhe u treguan përtac në kërkimin e argumenteve, argument i bënë dijetarët e tyre dhe ata i ndoqën. Kështu, disa u bënë hanefit, disa malikit, e disa tjerë shafiit; argumentin e konfirmonin me njerëzit dhe e mbështetin të saktën nëse ka lindur nga medhhebi i caktuar.”
Dijetari i shquar Izuddin ibn Abdusselam thotë: “Njerëzit vazhdimisht kanë pyetur se cilët dijetarë kanë qenë unik, pa mos u kufizuar në medhhebe dhe pa mos e refuzuar ndonjë prej pyetësve, derisa u paraqitën këto medhhebe dhe imituesit e tyre fanatik. Kështu ata filluan t’i pasojnë imamët e tyre edhe përskaj largësisë së medhhebit të tij nga argumentet, duke e imituar në mendimet e tij sikur me qenë pejgamber i dërguar, ndërsa kjo është devijim nga e vërteta, largim nga realja, të cilën nuk e pranon asnjë njeri i mençur.”
Pra, muslimani i cili nuk mund t’i nxjerr dispozitat nga argumentet e tyre e ka obligim t’i pyesë dijetarët kompetent, e nuk lypet prej tij që të kapet për një medhheb të caktuar, sepse obligim është vetëm ajo që e ka obliguar All-llahu dhe Pejgamberi i Tij, ndërkaq këta nuk ia kanë obliguar askujt të jetë hanefit, shafiit apo diçka tjetër. Komentatori i librit “Muslemu eth-thubut” thotë: “Obligueshmëria e kësaj nënkupton miratimin e një sheriati të ri.”5

Mospajtimi me një imam nuk është mohim i diturisë së tij:
E katërta: Mospajtimi me të katër imamët, apo me disa prej tyre, nuk nënkupton mohimin e gradës së tyre shkencore, as nënçmim i tyre, as mohim i diturive të tyre, validitetin e përpjekjeve të tyre shkencore dhe sinqeritetin e tyre në gjurmimin pas të vërtetës, e kush e kujton këtë, ai nuk e njeh realitetin e këtij Ummeti dhe historinë e tij.
Dashuria, respekti dhe mirënjohja ndaj këtyre figurave të shquara është prej përcaktimeve thelbësore të fesë Islame. Shejhu-l-Islam Ibn Tejmijje në hyrjen e librit të tij “Ref’u-l-melam an eimmeti-l-a’lam” thotë: “Muslimanët, pas lojalitetit ndaj All-llahut dhe Pejgamberit të Tij, e kanë obligim të jenë lojal edhe ndaj besimtarëve, sikundër që e thekson këtë Kur’ani, e në veçanti ndaj dijetarëve të cilët janë trashëgimtar të pejgamberëve dhe të cilëve All-llahu ua dha funksionin e yjeve me të cilët orientohen njerëzit natën në tokë dhe detë. Muslimanët janë unik në rrugën dhe transmetimin e tyre… Ata janë trashëgimtarët e Pejgamberit në popull, ringjallës të asaj që ka vdekur prej sunnetit, me ata ekzistoj Kur’ani dhe ata me Kur’anin ekzistuan, dhe me ata u shpreh Kur’ani dhe ata me Kur’anin u shprehën…”
Ibn Kasimi thotë: “I kam dëgjuar Malikun dhe Lejthin të cilët për polemikat e shokëve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thonin: Nuk është ashtu siç mendojnë njerëzit, se në to ka tolerancë.6 Nuk është ashtu, por disa prej tyre janë të sakta e disa tjera jo. Po ashtu, në lidhje me mospajtimet e sahabeve në mendime Maliku thotë: Dikush ia ka qëlluar e dikush jo, por t’i duhet vetë të gjurmosh.”7
Nëse sahabet ia kanë qëlluar dhe kanë gabuar (në mendime) sipas Malikut dhe Lejthit, atëherë çka mendon për të tjerët?!
Për t’ju përgjigjur si duhet dhe drejtë kësaj pyetjeje çdo lexues, të cilit i intereson feja dhe gjurmon për të vërtetën e pastër, duhet t’i ketë parasysh faktet vijuese:

Ibën Hazmi e ndalon rreptësisht imitimin:  
E pesta: Ne i zgjodhëm shprehjet më të buta për sa i përket imitimit, dhe thamë se ai nuk është vaxhib (obligativ) e as sunnet. Mirëpo, përgjegjësia shkencore na dikton që ta njoftojmë lexuesin musliman me atë që tha njëri prej juristëve eminent islam, Ibën Hazmi, i cili thotë: “Imitimi është haram (rreptësisht i ndaluar), dhe askujt nuk i është e lejuar ta merr mendimin e dikujt, me përjashtim të fjalëve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], pa argument”:
a. Duke u bazuar në ajetin: “Përvetësoni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj, e mos zini miq (përkrahës) pos Tij.” (El-A’raf: 3) Po ashtu ajetin: “E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): ‘Pranoni   atë që All-llahu e shpalli!’ Ata thonë: ‘Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë!“ (El-Bekare: 170) Ata që nuk i imitojnë tjerët i lavdëroi në ajetin: “… e ti përgëzoj pra robërit e Mi! Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.” (Ez-Zumer: 17-18)
b. Po ashtu edhe në ajetin kur’anor: “… Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrone atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe tek i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe Ditës së Fundit.” (En-Nisa: 59) Pra, All-llahu i Madhërishëm nuk e lejoi shtrimin e çështjeve për të cilat kemi mospajtime te dikush tjetër veç Kur’anit dhe Sunnetit, e, po ashtu, e ndaloi edhe mbështetjen në fjalët e njeriut gjatë mospajtimeve për ndodnjë çështje, sepse ajo nuk është Kur’an dhe Sunnet.
c. Gjithë sahabet, prej të parit e deri tek i fundit, po ashtu edhe gjithë tabi’inët (pasardhësit e sahabeve), prej të parit e deri tek i fundit, janë unanim në ndalimin e bazimit në të gjitha mendimet e ndonjë njeriu, qoftë se ka jetuar në kohën e tyre apo para tyre. Andaj, le ta dijë ai person i cili i ka marrur të gjitha mendimet e Ebu Hanifes, të Malikut, të Shafiut apo të Ahmedit, Zoti qoftë i kënaqur me ta, se ai e ka kundërshtuar konsenzusin e mbarë Ummetit, prej të parit e deri tek i fundit, pa mos patur asnjë dyshim në këtë kundërshtim, e po ashtu ai nuk mund të gjejë bashkëmendimtar që i ka parapri në të tre shekujt e lavdëruar; ai, pra, nuk e ka ndjekur rrugën e besimtarëve. Zoti na ruajt prej kësaj grade.
ç. Po ashtu, të gjithë juristët e përmendur kanë ndalur që të imitohen nga të tjerët, e kush e bënë këtë ai i ka kundërshtuar vetë ata.
d. Po ashtu, ç’është ajo që i bëri këta njerëz më meritor për t’u imituar, se sa Omer ibn Hattabi, Ali ibn Ebi Talibi, Ibn Mes’udi, Ibn Abbasi apo Aisheja, nëna e besimtarëve, Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë. Nëse kishte qenë i lejuar imitimi, atëherë çdo njëri prej tyre do të ishte më meritor për t’u ndjekur se çdo kush tjetër.8
Më meritor për këto fjalë janë dijetarët të cilët e kanë lexuar Kur’anin, Hadithin, Fikhun, Usulin, dhe e kanë mësuar gjuhën dhe disciplinat e saj, por, krahas gjithë kësaj, ata përsëri nuk e kanë lodhur veten me gjurmime komparative dhe analitike, duke iu dhënë përtacisë dhe duke anuar kah komoditeti. E kur ndonjë prej tyre gjurmon, bën komparacione dhe klasifikime të argumenteve dhe mendimeve, gjë që është tipar i dijetarit të vërtetë, i thonë: “Ndal, kush je ti? Leri njerëzit ashtu si janë mësuar prej vegjëlie”, dhe i vërsulen sikur ai është duke thirrur në diç të mbrapshtë!
Ndërkaq, për sa i përket masës së gjërë, ne nuk pajtohemi me mendimin e Ibn Hazmit se imitimi për ata është i ndaluar, por ndoshta këtë do ta diskutojmë në ndonjë rast tjetër.

Jozakonshmëria e dispozitave është çështje relative:
E gjashta: Jozakonshmëria e një dispozite është çështje relative: ndoshta një dispozitë që duket e pa zakonshme në një shoqëri, është normale dhe shumë e kapshme në një shoqëri tjetër; po ashtu, ndoshta një dispozitë e cila shkakton çudi dhe habi në një periudhë kohore, në një periudhë tjetër bëhet normale dhe e pranueshme, bile ajo që ndryshon prej saj bëhet e çuditshme. Pra, jozakonshmëria nuk është çështje standarde e as konstante, por ajo ndërron me ndërrimin e vendit dhe kohës.
Për këtë do të sjellim disa shembuj:
Ata që janë edukuar në frymën e medhhebit shafiit e shohin të pazakonshme dhe gabim që të falë njeriu xhumanë pa mos i falur dy rekate para saj, ndërkaq ata të medhhebit malikij e shohin të kundërtën.
Ambienti shafiit do ta shihte shumë të pazakonshme mos leximin me zë të “Bismilahir-rahmanir-rahim” me suren Fatiha në namaz, për dallim prej malikijve të cilët nuk e lexojnë aspak dhe hanefijve të cilët nuk e lexojnë me zë.
Po ashtu, ambientin shafiit e habit namazi i muslimanit i cili e prek gruan dhe nuk merr abdest përsëri, e po ashtu edhe namazi i atij që stërpiket me urinat e deveve, lopëve, deleve, pa mos i larë ato, për dallim prej malikijve dhe të tjerëve të cilët janë të mendimit se urina dhe baglat e çdo kafshe që i hahet mishi janë të pastra. Bile pa masë habitet me njeriun i cili falet ndërkaq e ka prekur një qen i djersitur, për dallim prej malikijve të cilët mendojnë se qeni është i pastër.
Në kohën tonë hasim disa dispozita të cilat janë miratuar nga disa dijetarë, e që në fillim janë pranuar me habi, injorim dhe rezervë, por nuk shkoi shumë kohë dhe ato arritën të afrohen në mendjet dhe zemrat e njerëzve. Kështu argumentueshmëria e tyre u sqarua, pikëpamja e tyre u ndriçua, dhe pjesës dërrmuese të Ummetit do t’i bëhet e qartë se dispozitat në fjalë korespondojnë me urtësinë e Sheriatit i cili miratoi çdo gjë që sjell dobi dhe eviton dëmet. Pra, këto dispozita u bënë të pranueshme pasi u refuzuan, dhe u bënë të zakonshme pasi u injoruan.
Të këtij lloji janë ndryshimet e mëdha që janë bërë në dispozitat e familjes, e që quhen e Drejta civile, si për shembull mos zbatimi i shkurorëzimit të pa prerë (të kushtëzuar), me të cilin synohet imponimi i kryerjes apo ndalimit nga ndonjë vepër, e po ashtu trajtimin e shkurorëzimit tre herë me një shqiptim si shkurorëzim i një fish. Po ashtu, ligji i testamentit obligativ të cilin e pranojnë djemtë e babait të vdekur nga ashpërsia e mixhallarëve dhe mospërfillja e gjyshërve. Kjo për njerëzit në fillim ishte e çuditshme, por pastaj u bë shumë normale për ta. E pse jo, kur ajo bazohet në Kur’an?
Termi “jo i zakonshëm” nuk ka domethënie të caktuar. Nëse me këto dispozita konsistohet në ato që janë në kundërshtim me mendimin e shumicës së dijetarëve, për këtë Ibn Hazmi thotë: “Në frymën e metodologjisë së Ebu Hanifes, Shafiut dhe Malikut, miratuam si qëndrime të tyre qindra çështje, çdo njëri prej tyre përkitazi me to artikuloi qëndrime të cilat nuk i kemi dëgjuar nga ndonjë musliman para tyre dhe për këtë shkak u paraqit habi tek ata!”9

Mendimi i qëlluar nuk varet nga popullariteti:
E shtata: Mendimi i qëlluar nuk do të thotë të jetë domosdo edhe i popullarizuar, kurse mendimi i gabuar të jetë domosdo edhe i çuditshëm, sepse mendimi i qëlluar dhe i gabuar te dijetarët e mirëfilltë nuk janë të varur nga popullariteti dhe jo zakonshmëria. Kjo ngase ka shumë dispozita të njohura të cilat bien poshtë kur të debatohen dhe shqyrtohen argumentet e tyre, e, po ashtu, ka edhe shumë dispozita jo të zakonshme të cilat në sajë të argumenteve që i mbështesin qartësohen si dielli në mesditë.
Andaj, për muslimanin i cili përkujdeset që në fé ta zgjedh më të mirën, peshojë e tij për njohjen e të vërtetës duhet të jetë fuqia dhe qartësia e argumentit, e jo popullariteti i mendimit apo numri i madh i atyre që e përkrahin dhe e ndjekin atë.
Sikur të ishte standard i të vërtetës ndjekja e saj nga pjesa dërrmuese dhe besimi i shumicës në të, Islami do të ishte jo valid në mesin e religjioneve të devijuara dhe në besim të gabuara, ithtarët e të cilëve janë qindra milionë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Po ti edhe pse lakmon (për besimin e tyre), shumica e njerëzve nuk do të besojnë.” (Jusuf: 103); “Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të largojnë ty nga rruga e All-llahut.” (El-En’amë: 116); “… por shumica e njerëzve nuk besojnë.” (Er-Ra’d: 1); “… por shumica e tyre nuk e dinë (se çka do t’i gjente më pas).” (El-En’amë: 37); “… nuk kuptojnë” (El-Huxhurat: 4); “… nuk falënderojnë.” (Junus: 60)
Abdullah ibn Mes’udi nuk u pajtua me shumicën e njerëzve në disa qëndrime dhe mendime, dhe disa nxënës të tij e pyetën: “A nuk e ndjek shumicën?” Ai tha: “Shumicë është kur e qëllon të vërtetën, edhe me qenë i vetmuar!” Ibn Mes’udi na ka tërhequr vërejtjen për kohën kur do të çrregullohen standardet, ashtu që njerëzve do t’u bëhet normale e pavërteta, ndërkaq jo e zakonshme e vërteta, do ta njohin të keqen, kurse do ta injorojnë të mirën. Ç’do të bëni kur do të zhyteni në një kaos në të cilin njerëzit do ta kalojnë jetën, plak e i ri; kjo do të jetë në praktikën e njerëzve dhe do ta trajtojnë sunnet të Pejgamberit, ashtu që kur do të ndryshohet do të thuhet: U ndërrua sunneti, apo kjo është e urrejtur!
Si argument për atë se jo zakonshmëria nuk është gabim mjaftojnë disa ajete nga Kur’ani Fisnik, praktikimi i të cilave është lënë anash bile edhe në kohën e sahabeve, ashtu që dispozitat e tyre u bënë të çuditshme për njerëzit, si për shembull ajeti: “Kur të prezentojnë në pjesëtimin e pasurisë që ka lënë i vdekuri të afërm, bonjak dhe varfnjakë (që nuk janë pjesëtarë në trashëgim), jepnu nga ajo (pasuri e lënë) dhe atyre thuanu fjalë të mira.” (En-Nisa: 8) Disa dijetarë menduan se ky ajet është i deroguar, andaj nuk vepruan sipas tij. Po ashtu ajeti: “O ju të cilët besuat, ata të cilët i keni në pronësinë tuaj (shërbetorët) dhe ata që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë, duhet të kërkojnë leje prej jush (për të hyrë te ju) në tri kohë…” (En-Nur: 58) Ibn Abbasi thotë: “Shejtani ua mori mendjen njerëzve në këtë ajet, dhe nuk vepruan sipas tij.”10

Mospajtimet në çështjet sekondare nuk çojnë në përçarje:
E teta: Mospajtimet në mendime në çështjet diskutabile, për të cilat nuk kemi argumente të prera në autenticitet dhe argumentueshmëri, nuk bën të shkaktojnë përçarje apo kacafytje, sepse sahabet nuk janë pajtuar disa herë në disa çështje, mirëpo kjo nuk ka shkaktuar mes tyre përçarje, armiqësi e urrejtje.
Në mesin e sahabeve, tabi’ineve dhe tjerëve që kanë ardhur pas tyre, ka pasur të tillë që e kanë lexuar “besmelen”, kurse disa tjerë nuk e kanë lexuar; disa prej tyre e kanë lexuar me zë, e disa tjerë pa zë; disa prej tyre bënin dua në namazin e sabahut, kurse disa tjerë nuk bënin; disa konsideronin se abdesti prishet me nxjerrjen e gjakut prej koke (hixhame), nëse rrjedh gjaku prej hunde dhe nëse vjellim, kurse disa tjerë mendonin se këto gjëra nuk e prishin abdestin; disa mendonin se abdesti prishet nëse hahet mish, e disa tjerë nuk mendonin si këta; disa mendonin se ngrënia e mishit të deves e prish abdestin, kurse disa tjerë jo… Por, krahas gjithë kësaj, ata faleshin njëri pranë tjetrit, ashtu sikur që falej Ebu Hanifja me nxënësit e vet, Shafiu dhe të tjerët, Zoti qoftë i kënaqur me ta, pas dijetarëve të Medines, qofshin ata të medhhebit Malikij apo tjerë, edhe pse nuk e lexonin “besmelen” as me zë e as pa zë.
Harun Er-Reshidi doli imam pasi që kishte nxjerrur gjak prej pjesës së pasme të kokës, ndërkaq imam Ebu Jusufi u fal pas tij dhe nuk e përsëriti namazin, kurse imam Maliku i kishte thënë se nuk ka nevojë të merr abdest përsëri.
Imam Ahmedi ishte i mendimit se nxjerrja e gjakut prej pjesës së pasme të kokës dhe rrjedhja e gjakut prej hunde e prishin abdesin, por kur e pyetën: “Nëse prej imamit del gjak dhe ai nuk merr abdest, a do të falesh pas tij?” Ai u përgjigj: “Si mos të falem pas Malikut dhe Seid ibn Musejjibit?!”
Shafiu u fal afër varrit të Ebu Hanifes dhe nuk bëri kunut (lutje brenda namazit), në shenjë respekti ndaj tij, dhe tha: “Ndoshta jemi transferuar në medhhebin e irakianëve.”
Në librin “El-Bezazijje” të medhhebit Hanefij transmetohet prej imam Ebu Jusufit se ai e ka falur namazin e xhumasë pasi është larë në banjo. Ai doli imam në namaz dhe pas namazit njerëzit u shpërndanë. Mirëpo pas një kohe ai u lajmërua se në bunarin e banjos ishte një mi i ngordhur. Ai tha: “Atëherë do ta marrim mendimin e vëllezërve tanë në Medine: se uji kur arrinë sasinë dy pëllëmbë (kul-letejn) nuk fëlliqet.”11  
Kjo bëhet për shkak se këto çështje, dhe një sërë çështje tjera të ngjashme me këto, janë fleksibile dhe jo të prera, prandaj në të shumtën e rasteve të dy mundësitë janë të pranueshme, e nëse të dy mënyrat nuk janë të mundshme, atëherë edhe mënyra e qëlluar nuk është e caktuar prerë, ndërkaq ai që nuk ia qëllon, ka arsye, bile edhe shpërblim. Për këtë shkak dijetarët në këso raste njërin prej mendimeve e konsideronin të saktë, por njëkohësisht i konfirmonin edhe mendimet tjera. Ata shpesh thonë: “Ky mendim është më i preferuar, ky tjetri është mendimi i zgjedhur, e ky tjetri është më i dashur për mua.” Ose thonë: “Ne kemi arritur ta njohim vetëm këtë.” Kjo shpesh përmendet në librin El-Mebsut, librin Athar të Muhamed ibn Hasenit dhe fjalët e Shafiut, Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë.12
Zoti qoftë i kënaqur me imam Malikun, sa dijetar i shkathtë që ka qenë. Sujutiju rrëfen: Harun Er-Reshidi e konsultoi imam Malikun që librin e tij “El-Muveta” ta varë në Qabe dhe mendimet e tij t’ua imponojë njerëzve. Por imam Maliku i tha: “Jo, kjo nuk bën, sepse shokët e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve selem] kanë patur mendime të ndryshme në çështjet praktike (sekondare) dhe janë ndarë në vende të ndryshme, dhe çdo njëra që është vepruar është sunnet. Reshidi atëherë i tha: “Zoti të bekoftë, o Ebu Abdullah!!” I njëjti rrëfim tregohet të ketë ndodhur edhe me Mensurin.13
Për fund, këtë nuk e shkruaj si mbrojtje për librin “Garibu-l-ahkam”,dhe as që e përkrahi atë në të gjitha detajet që i ka shtruar, por e përkrahi metodologjinë e gjurmimit, komparacionit dhe selektimit të fjalëve. Muslimani duhet ta bëjë veten rob të argumentit dhe faktit. Për atë, çdo dispozitë e cila sipas tij ka argument të fortë, bindet në të dhe është i qetë shpirtërisht në një gjykim të tillë, ai duhet të veprojë sipas saj. Nuk ka pengesë që kjo dispozitë të jetë prej “dispozitave të çuditshme” (garibu-l-ahkam), dhe nuk duhet të frikësohet nëse dispozita e tillë përmban lehtësim për njerëzit, sepse feja jonë nuk ka ardhë me tjetër gjë, pos lehtësimit dhe mëshirës. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Jam dërguar me fenë e pastër fleksibile…”14 Po ashtu, shokëve të vet u tha: “Lehtësoni e mos vështirësoni”15, “Ju jeni dërguar lehtësues, e nuk jeni dërguar vështirësues.”16
All-llahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju…” (El-Bekare: 185); “All-llahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’u përballuar epsheve).” (En-Nisaë: 28); “All-llahu nuk dëshiron t’ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë (prej mëkateve), t’ju plotësojë të mirën e Tij ndaj jush, e që t’i falënderoheni.” (El-Maide: 6)

 

 

 

 


Pyetja: Emërtimi i fëmijëve
Eselamu Alejkum, a mundeni ju lutem të ni sqaroni direktivat Islame mbi zgjedhjen e emrave? Me fjalë të tjera, çfarë kriteri duhet të ndjek muslimani për të zgjedhur emrin?

Përgjigjia: Ue alejkumuselam ue rahmetullahi ue berketuhu.
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut dhe paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
E nderuar motër në Islam, lavdërojmë interesimin tuaj për të njohur sa më mirë Islamin dhe mësimet e tij, dhe lusim Allahun e Madhëruar të na ndihmojë që t’i shërbejmë kauzës së Tij, dhe të na e kthejë punën tonë për Hir të Tij.
Islami thekson që muslimanët duhet të kenë dhe tiu japin fëmijëve të tyre emra të mirë. Është transmetuar në hadith që Profeti (paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të) ka thënë: “Ju do të thirreni në Ditën e Ringjalljes me emrat tuaj dhe emrat e baballarëve tuaj, kështu që kini emra të mirë”. (Transmetura nga Abu Davud)
Për të zgjedhur emra, ne duhet të ndjekim disa porosi të cilat janë dhënë në fetvan më poshtë nga dijetari i mirënjohur musliman, Sheikh Jusuf Al-Karadavi.
“Islami nuk përmend emra specifik që i obligon muslimanët të zgjedhin për fëmijët e tyre, qofshin ato arab apo joarab, femra apo meshkuj. Është ne dorë të njerëzve të zgjedhin emrat për fëmijët e tyre.
Megjithatë, për të zgjedhur emrin duhet të ndjekim disa rregulla Islame:
1. Duhet të jetë emër i mirë, të mos jetë emër i urryer (shpifët) nga njerëzit apo edhe nga vetë fëmija kur të rritet. Ato emra janë që përmbajnë kuptime si shenja të keqe, domethënie djalli, emra njerëzish që janë të njohur për shtypje dhe tepri, e kështu më rradhë. Për këtë arsye ne shohim që Profeti a.s i ndryshonte emrat e këqinj në emra të mirë. Për shembull, ai ndryshoi emrin e njërit “Kalilah” (Pak) në “Kathirah” (Shumë), dhe emrin e një tjetrit nga “Asijah” (Mëkatar) në “Xhamilah” ( I bukur), e të tjera.
2. Muslimani nuk duhet tia vëjë emrin djalit të tij “Abdul-Kabah”, “Abdul-Nabi” apo “Abdul-Husajn”, dhe emra të tjerë si këta që nënkuptojnë robëri ndaj të tjerëve sesa ndaj Allahut. Ibn Hazim ka thënë që emërimi i fëmijëve me kësi emrash është i ndaluar nga shumica e dijetarëve musliman, përveç emrit “Abdul-Mutalib.
3. Muslimani nuk duhet të emëroj fëmijën me emra madhështor dhe mburrëse. Kjo mbështet nga hadithi, “ Emrat më të urryer tek Allahu në jetën tjetër është i atij njeriu që e thërret veten “Mbreti i të gjithë mbretërve”, sepse veç Allahu është Zoti i të gjithë mbretërve” (Transmetuar nga Al-Buhari, Muslimi, Abu Davudi dhe Al-Tirmidhi).
Muslimanët janë gjithashtu të ndaluar të emërojnë fëmijët e tyre me emrat e bukur të Allahut, si për shembull “Ar-Rahman” (Mëshirplotë), Al-Khalik (Krijues), etj.
Është e ndaluar gjithashtu të përdorim si emra cilësitë e Allahut me nyje të shquar, si “Al-Aziz” (Më i fuqishmi) dhe “Al-Hakim” (Më i dituri). Por ato mund ti përdorim pa nyjen e shquar, do me thënë pa ‘Al’ por vetëm “Aziz” dhe “Hakim”.
4. Është e rekomandueshme që ti emërojmë fëmijët tanë me emra të Profetëve dhe njerëzve të drejtë, kjo që të jenë sa më shumë në kujtesën tonë dhe të shpresojmë që ata do të ndjekin rrugën e tyre dhe të jenë si ata.
Emrat më të mirë janë ata emra që tregojnë përulje (nënshtrim) ndaj Allahut, siç thuhet në hadith: “Emrat më të bukur tek Allahu janë ‘Abdullah’ (Rob i Allahut) dhe ‘Abdur-Rahman’ (Rob i Mëshiruesit)” (Transmetura nga Muslimi, Abu Davudi, At-Tirmidhi, dhe Ibn Majah).
E njëjta gjë është me emrat e tjerë që përmbajnë dy pjesë, e para ‘Abd’ dhe e dyta një nga emrat e bukur të Allahut, si ‘Abdul-Alim’.
5. Për sa i përket emrave jo arab, nuk ka ndonjë gjynah në përdorimin e tyre, kur kanë kuptim të mirë në atë gjuhë. Edhepse muslimanët e hershëm ishin arab të pastër dhe jetonin në një atmosferë të pastër arabe, ata i përdornin emrat jo arab për meshkuj apo femra. Për shembull, ‘Mariah’ (Nëna e besimtarëve) nëna e Ibrahimit djalit të Profetit Muhamed (paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të) ishte e njohur me emrin e saj Koptik.
Gjthashtu, shumica e emrave të muslimanëve të hershëm kanë qenë emra bimësh, si ‘Talhah’, ‘Salamah’, ‘Hanzalah’; emra kafshësh dhe zogjësh, si ‘Asad’, ‘Sakr’; emra të objekteve natyrore, si ‘Bahr’ (lumi), ‘Jabal’ (mali); mbiemra të përdorura si emra, si ‘Amir’, ‘Salim’; emra Proftësh dhe njerëzve të drejtë, si ‘Ibrahim’, ‘Jusuf’, etj.
Kështu që muslimani duhet të ketë parasysh këto rregulla kur të zgjedh emra për fëmijët e tij.
Allahu e din më së miri.

 

 


Pyetja:
Si duhet ta trajtojmë individin, i cili thotë se është musliman, por nuk falet dhe nuk agjëron? A jemi të obliguar ta përshëndesim me selam dhe kur të vdes t’ia falim xhenazen?

Jusuf Kardavi:
Kjo i ngjan shembullit të njeriut, i cili caktohet nga shoqëria të cilës i takon për kryerjen e ndonjë detyre, për të cilën do të shpërblehet nëse e kryen me rregull, por edhe bëhet përgjegjës për kryerjen e atij obligimi. Megjithatë, nëse ky njeri nuk e kryen detyrën e besuar, edhe pse është i shëndoshë psiqikisht dhe fizikisht, dmth e le punën pa arsye, atëherë ky njeri mund të gjykohet në dy mënyra:
1- Me largim nga vendi i punës për shkak të mosrespektimit të detyrës ose
2- Me dënim më të butë së largimi nga puna, nëse nuk i ka nënçmuar publikisht obligimet e veta.
Kështu sqarohet qëndrimi i dijetarëve Islamikë mbi muslimanin i cili me vetëdije nuk i kryen obligimet fetare, e posaçërisht faljen e pesë namazeve gjatë ditës. Disa prej tyre konsiderojnë se obligimi thelbësor i çdo muslimani, e madje çdo njeriu në jetën e tij është përulja vetëm All-llahut xh.sh . Mosnënshtrimi ndaj All-llahut xh.sh konsiderohet si tradhëti e detyrës më qenësore të një muslimani dhe për këtë shkak individi i tillë nuk meriton ta mbajë emër muslimani, e as të gjendet nën mbrojtjen e Islamit.
Këtë mendim e përforcojnë edhe këto hadithe të besueshme:
“Mes njeriut dhe mosbesimit është lënia e namazit.”
“Ajo me çka dallohemi me ta (mosbesimtarët) është namazi, pra kush e le namazin është mosbesimtar.”
Ca dijetarë tjerë konsiderojnë se nëse individi i cili ka lënë pas dore ndonjë obligim islam duke mos e përbuzur atë, ndërsa kohë pas kohe e kryen, duke u penduar për lëshimet e veta dhe duke synuar kah përmirësimi, do të trajtohet si musliman.
Sipas asaj që deri tani e thamë, ata që e lënë faljen, e bëjnë këtë nga dy shkaqe:
1. Për shkak se mohojnë se namazi është obligim dhe nuk i kushtojnë kurrfarë rëndësie atij. Të tillët sipas mendimit unanim të dijetarëve islamë trajtohen si mosbesimtarë dhe renegatë, sepse roli dhe rëndësia e namazit në Islam janë të njohura.
Pra, çdonjëri që mohon, nënçmon dhe përgënjeshtron urdhërin e Zotit dhe të Dërguarit të Tij trajtohet si mosbesimtar, në zemrën e të cilit nuk ka besim (iman) as sa kokrra e grurit. Për këtë lloj të njerëzve All-llahu xh.sh thotë:
“...Atij që kundërshton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij i takon zjarri i Xhehennemit, aty mbetet përgjithmonë.”
(Xhinn 23)
“Edhe kur i thirrni për t’u falur, ata e marrin për tallje e lojë. Këtë e bëjnë për shkak se janë njerëz që nuk kuptojnë.”
(Maide 58)
Këto ajete mjaft mirë përshkruajnë pozitën e atyre që namazin dhe ibadetet tjera i konsiderojnë si shenja të prapambeturisë dhe dekadencës, duke i përqeshur ata që falen.
2. Nuk e kryejnë faljen nga përtacia, të preokupuar me këtë botë duke shkuar pas epsheve të veta dhe mashtrimeve të ndryshme të shejtanit.
Rreth kësaj çështjeje dijetarët islamë kanë dhënë këto përgjigje:
Ebu Hanife:
“Personi i tillë do të konsiderohet si mëkatar
Maliku dhe Shafiu:
“Njeriu i tillë është mëkatar. Ai nuk do të konsiderohet si mosbesimtar,
Kuptohet, mendimi i këtyre dijetarëve bazohet në Kur’an dhe në hadithe të besueshme.
Në Kur’an theksohet edhe rasti, i cili tregon gjendjen e mohuesve në Ditën e Gjykimit:
“Atë ditë mjerë përgënjeshtarët!Se kur u thuhej “Përuluni!” nuk përuleshin.Atë ditë mjerë përgënjeshtarët!”
(Murselat 47, 48)
Se si do të ndihet mosbesimtari në Ditën e Gjykimit përshkruan ky ajet:
“Atë ditë, kur të shpallet çdo send dhe të thirren për të bërë sexhde, nuk do të munden.Me shikime të varura dhe me poshtërsi mbuluar, se kanë qenë të thirrur të bëjnë sexhde deri sa ishin të shëndoshë.”
(Kalem 42, 43)
All-llahu i Lartmadhëruar për politeistët thotë:
“...Por nëse pendohen, e kryejnë faljen dhe e japin zekatin, atëherë lëshojuani rrugën, se vërtet All-llahu fal, është Mëshirues”
(Teube 5)
Gjithashtu përshkruhet edhe dialogu mes besimtarëve dhe mosbesimtarëve në ditën e Gjykimit:
“(Besimtarët do të pyesin ç’ju solli në Sekar ?
(Mosbesimtarët) Do të thonë: Ne nuk e kryenim namazin, nuk i ushqenim të varfërit dhe përziheshim me të tjerët në punë të kota, ndërsa Ditën e Gjykimit nuk e besonim, derisa nuk na erdhi vdekja!”(Muddeththir 42, 43)
Pra, gjëja e parë që do t’i shtiejë në zjarr do të jetë moskryerja e faljes.
Ajeti vijues na tregon virtytet e dyftyrëshave:
“Dyftyrëshat përpiqen ta mashtrojnë All-llahun, por All-llahu i mashtron ata. Kur ngrihen ta falin namazin, ngrihen me përtesë dhe e bëjnë këtë vetëm për t’u dukur te njerëzit, ndërsa All-llahun e përmendin fare pak!”
(Nisa 142)
Gjithashtu, nëse u drejtohemi haditheve të të Dërguarit të Zotit , mund të vërejmë se edhe ato e vlerësojnë si mosbesimtar atë që me vetëdije le pas dore faljen. Ndër hadithet që trajtojnë këtë temë numërohen edhe këto:
“Mes njeriut dhe mosbesimit është lënia e faljes.” ;
“Ajo me çka dallohemi nga ata (mosbesimtarët) është namazi. Kush e lë atë (namazin) bëhet mosbesimtar.” ;
“Kurrë mos e le ndonjë namaz me vetëdije, sepse ai që e le namazin me vetëdije është i privuar mbrojtjes së All-llahut!”
“Kush rregullisht e kryen namazin do t’i jetë dritë, shpëtim dhe dëshmi në ditën e Gjykimit, e kush nuk e kryen rregullisht atë, nuk do të ketë dritë, shpëtim e as dëshmi dhe në ditën e Gjykimit do të jetë me shoqërinë e Karunit, faraonit, Hamanit dhe Ubejj b. Halefit.”
“Atij që i kalon namazi i ikindisë është sikur ai, të cilit i është gjymtuar (cunguar) familja dhe pasuria e vet.”
“Për dyftyrëshat (munafikët) nuk ka namaz më të rëndë se sabahu dhe jacia (në xhami), e po ta dinin se çfarë shpërblime kanë për ta, do t’i falnin qoftë edhe duke shkuar zvarra.
Kam vendosur që t’i urdhëroj muezinit të......
Gjithashtu, edhe as’habët , pa përjashtim konsiderojnë se personi që nuk falet duhet trajtuar si mosbesimtar dhe renegat:
Abdull-llah b. Shekik el-Ukajli r.a thotë:
“As’habët e Muhammedit a.s konsiderojnë se obligimi i vetëm, lënia e të cilit shpie në mosbesim është namazi.”
Aliu r.a:
“Ai që nuk falet është mosbesimtar!”
Ibn Abbasi r.a:
“Kush e lë pas dore namazin është bërë mosbesimtar!”
Ibn Mes’udi r.a:
“Kush e lë pas dore namazin, nuk ka fe!”
Xhabir b. Abdull-llahu r.a:
“Mosbesimtar është ai që nuk falet!”
Ebu Derda r.a:
“Nuk ka fe ai që nuk praktikon namazin, dhe nuk ka namaz ai që nuk ka marë abdest!”
Is’hak b. Ruvejhi:
“Me besnikëri është transmetuar nga i Dërguari i All-llahut a.s se ai që nuk falë namaz është mosbesimtar, por gjithashtu mosbesimtar konsiderohet edhe ai që me vetëdije dhe pa arsye e shtyen faljen e namazit.”
Ejjub es-Sihtijani r.a thotë:
“Është e padyshimtë se lënia e namazit është mosbesim!”
Hafidh Mundhiri, pas të theksuarit të haditheve dhe thënieve të as’habëve mbi këtë temë, thotë:
“Një grup i as’habëve dhe tabi’inëve i konsiderojnë si mosbesimtarë edhe ata që e shtyejnë faljen e namazit deri atëherë sa nuk kalon koha e tij. Mes këtyre gjenden edhe: ‘Umeri, ibn Mes’udi, ibn Abasi, Muadh ibn Xhebeli, Xhabir ibn Abdull-llahu, Ebu Derda, Ahmed ibn Hambeli, Is’hak b. Ruvejhi, Abdull-llah b. Mubaraku, Ibrahim en-Nehai, Hakim b. Utejbe, Ejjub es-Sahtijeni, Ebu Davud et-Tajalisi, Ebu Bekr b. Ebi Shejbe, Zuhejr b. Harbi dhe të tjerë, (Zoti qoftë i kënaqur me ta).
Këto janë mendime të transmetuara nga dijetarët e njohur islamë, tabi’inët dhe as’habët për mosbesimin e atij i cili qëllimisht, qoftë edhe një namaz e le pa e falë, e çfarë është atëherë qëndrimi i tyre ndaj atij i cili ka kaluar vite të tëra duke mos e përkulur kurizin kurrë që t’i bie në sexhde All-llahut xh.sh.
Pas gjithë kësaj që theksuam, mund të përfundojmë se ai i cili nuk e kryen namazin është:
-Mosbesimtar, nëse nuk falet duke e përbuzur kryerjen e namazit dhe rëndësinë e tij, ose:
-Mëkatar i madh, (e sipas disave përsëri mosbesimtar), nëse nuk e kryen atë për shkak të dhënies pas epsheve dhe dëshirave të veta.
Sipas mendimit më të butë, personi i tillë është mëkatar, i cili nuk është larg as nga kufri (mosbesimi), sepse nuk ka dyshim se mëkatet shpiejnë njëri në tjetrin, të vegjëlit nxisin në të mëdhenj, dhe kështu lehtë arrihet në mosbesim.
Për këtë shkak, është e domosdoshme që çdo njeri që ndihet si musliman ndërsa nuk e fal namazin, t’i rishqyrtojë veprat dhe rrugën e tij, t’i pendohet All-llahut xh.sh dhe ta përforcojë besimin me kryerjen e përhershme të namazit, njëlloj siç është e domosdoshme që besimtarët ta këpusin çdo kantakt me ata që me këmbëngulje qëndrojnë në mendimin se namazi nuk është obligim i muslimanit. Gjithsesi, kjo vlen nëse besimtarët i kanë këshilluar më parë ata, ndërsa ata nuk i kanë pranuar këshillat e tyre me kokëfortësi.
Namazi paraqet shtyllën kryesore të fesë, për moskryerjen e së cilës nuk ka ndjesë, përveç kur personi e humbë vetëdijen dhe nuk di se çka flet, e të gjitha sëmundjet tjera nuk janë arsye e mjaftueshme që namazi të mos falet, qoftë edhe nëse personi është i paralizuar apo rëndë i plagosur.
Sipas Ligjit Islamik (sheriatit) të sëmurit duhet thënë:
“Pastrohu si dhe sa të mundesh. Ulu qysh të mundesh, por mos e lësho namazin. Pastrohu me ujë, e nëse nuk ke ujë merr tejemmum , me dhè të pastër. Falu në këmbë, nëse kështu nuk mundesh, falu ulur, nëse nuk mundesh as kështu, falu i mbështetur në anën e djathtë apo i shtrirë në shpinë, e nëse as kështu nuk mundesh, atëherë lëvize kokën ose vetëm sytë, në kuptim të fjalëve të All-llahut xh.sh:
“Andaj, sa te keni mundësi ruajuni prej dënimit të All-llahut!”
(Tegabun 16)
Në përputhje me atë që thamë, vërejmë përgjegjësinë e mbarë shoqërisë për moskryerjen e këtij obligimi, e sidomos të çdo individi në kuadër të kompetencave të veta: babai është përgjegjes për djemtë dhe vajzat e moshës jomadhore, burri për gruan e tij, etj.
All-llahu xh.sh thotë:
“Urdhëro familjen tënde që të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim. Ne të furnizojmë ty. Ardhmëria e mirë i takon atij që ruhet.
(Ta Ha 132)
Gjithashtu All-llahu xh.sh thotë:
“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njërëzit dhe gurët!”
(Tahrim 6)
Nëse me të vërtetë bashkëshorti e do gruan e tij, ndërsa babai fëmijët e tij, dhe nuk dëshirojnë që t’i humbin, atëherë le t’i mbrojnë nga zjarri duke u keshilluar me nënshtrim ndaj Krijuesit të tyre, para së gjithash me kryerjen e namazit.
Na ka mbetur edhe një çështje, të cilën jemi të obliguar ta spjegojmë, e kjo është se a jemi të obliguar t’ia falim xhenazen atij që nuk e ka falur namazin...
Kjo çështje gjithsesi varet se a ka qenë njeriu mosbesimtar, ose vetëm mëkatar i rëndë.
Sipas mendimit të dijetarëve, nëse njeriu që ka vdekur ka qenë i thirrur nga Imami (kryetari) i asaj kohe ose gjykatësi i sheriatit (si zëvendës i tij) që ta falë namazin, e ky nuk ka pranuar, atëherë nuk do t’i falet namazi pasiqë do të konsiderohet si mosbesimtar. Kjo vlen për njeriun i cili përveç namazit ka bërë edhe lëshime të tjera, siç janë mosndershmëria dhe moskryerja e obligimeve tjera islame.
Megjithatë, nëse personi nuk e ka mohuar namazin si obligim, ndonjëherë është falur e ndonjëherë jo, atëherë këtij personi do t’i falet namazi dhe i njëjti do të varroset në varrezat e muslimanëve.
U apelojmë besimtarëve, të cilët deri tani nuk kanë praktikuar namazin nga shkaqe të ndryshme që t’i drejtohen sinqerisht Krijuesit të tyre- All-llahut me pendim, dhe të fillojnë praktikimin e këtij obligimi të domosdoshëm për çdo besimtar. Nuk ka dyshim se Ai është Mëshiruesi, Falësi i mëkateve, i Cili me kënaqësi do t’ua pranojë pendimin e sinqertë dhe do t’ua falë mëkatet e mëparëshme insha- All-llah.
“O ju që keni besuar, pendohuni te All-llahu me një pendim të sinqertë!
(Tahrim 8)
‘‘O ju që besuat, keni frikë All-llahun me një sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, pos duke qenë muslimanë!”
(Ali lmran l02)
Lavd-falënderimi i takon All-llahut
që na e mundësoi këtë.
Qoftë paqja mbi Lajmëtarin e Fundit, Muhammedin, familjen e tij, shokët e tij, si dhe mbi ne dhe të gjithë ata që do ta pasojnë rrugën e drejtë.
Pra, si perfundim mosfalja e namazit duke e mohuar ate te ben ti jobesimtar dhe ska rendesi shume nese e fal ne xhami apo ne shtepi ose ne rruge sepse Xhamia eshte vend tubimi dhe ajo nuk konsiderohet si toke e shenjte ose ndertese e shenjte vetem sepse ne te ka besimtare qe adhurojne Zotin po te kishte brenda saj varr ose ndonje idhull tjeter ajo nuk do te ishte e shenjte per rendesin e enamzait ne xhami do te flas me nje shkrim tjeter.

 

 

Pyetja:
I shkruaj hirësisë suaj për një çështje shumë të rëndësishme apo vitale për mua në këtë periudhë të jetës sime.
Unë jam arkitekt dhe jetoj në Amerikë. Më në fund arrita të doktoroj në inxhinieri në Britani. Para pak kohe m’u dha rasti të bëhem partner me një arkitekt amerikan për ta formuar një kompani arkite­kture në Amerikë. Por kjo lyp që unë të marr kredi nga ndonjë bankë. Natyrisht, unë e di se shikuar globalisht kjo është e ndaluar, por për mua kjo mund të jetë një e keqe e domosdoshme, e në veçanti kur dihet se unë kam harxhuar shumë që të vij deri në një rast të tillë.
I shkrova bankës islame “EL BEREKE” në Londër, e ajo ma ktheu përgjigjen pas katër muajsh!? Ishte ajo një përgjigje e paqartë, ndërkaq unë i shkrova edhe një herë, por kësaj radhe nuk mora përgjigje. Trokita në të gjitha dyert dhe i përdora të gjitha metodat, por pa rezultat. Unë jam një i ri plot elan dhe nuk dua ta humbi këtë rast. Qëllimi im është i pastër dhe kam dëshirë të pasurohem dhe t’i ndihmoj kësaj popullate të zhytur në vështirësi, e jo për të jetuar në pallat luksoz pa u interesuar për të tjerët, siç veprojnë shumë pasanikë tanë. Unë e pres me padurim përgjigjen tuaj. All-llahu ju shpërbleftë me shpërblimet më të mira.
Es-selamu alejkum ve rahmetull-llah!

Përgjigjia:
Nuk është e nda­lu­ar që muslimani të kërkojë pasuri dhe të mundohet për të, sepse pasuria në këndvështrimin islam nuk është krim, e as punë e ligë. Në Islam nuk pranohet ajo që e pohon krishterizmi: Pa­sa­niku nuk hynë në Mbretërinë e qiejve de­risa të kalojë dunjanë për vrimën e gjilpërës.
Por, përkundrazi, All-llahu e begatoi Pejgamberin e Vet dhe i tha: “Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi.” (Ed-Duha: 8)
Prej lutjeve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka qenë edhe kjo: “O Zot, unë të lus të më udhëzosh, të më bësh të devotshëm, të ndershëm dhe të pasur.”
Transmetohet nga Sa’d Ibën Ebi Vakasi: “All-llahu e don robin e vet të devotshëm, të pasur e të fshehur.
Amër Ibën Asit i tha: “Lum pasuria e ndershme për njeriun e devotshëm.”
Por dëshiroj t’ia ceki pye­të­sit disa të vërteta:
1. Pasuria, edhe nëse nuk është e mbrapshtë, ajo është spro­vë nga e cila duhet patur frikë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “S’ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë.” (Et-Tegabun: 15) E ve­çanërisht kur pronari i pasurisë ndjen se ai nuk ka nevojë për të tjerët: “Jo, është e vërtetë se njeriu i kalon kufijtë, për shkak se e ndien veten të pa­varur.” ( El-Alek: 6-7)
2. Pasuria materiale nuk është gjithçka. Njeriu mund të posedojë miliona dollarë, por të jetë i varfër në shpirt. Në ha­dithin e vërtetë thuhet: “Pasu­ria nuk është të kesh shumë kapital, por pasuri e vërtetë është pasu­ria e shpirtit.”
Transmetohet prej Ali Ibën Ebi Talibit se ka thënë: “Pasuria e shpirtit forcohet edhe nëse pakë­sohet kapitali, e njeriu mund të ketë shumë pasuri, por të jetë i nënçmuar!”
Një fjalë e urtë thotë: “Pa­suria e paktë që të mjafton, është më e mirë se pasuria e shumtë që të devijon.”
3. Disa njerëz mendojnë në vete, apo u thonë njerëzve, bile i zotohen All-llahut se sikur të vinin në ndonjë pasuri do të bënin shumë gjëra. Mirëpo kur i reali­zo­het ëndrra e tij, ai e then zo­ti­min dhe nuk e çon në vend fjalën e dhënë. Kjo është meto­dë e mu­nafikëve, për një grup të të cilëve na ka treguar All-llahu në suren Teube ku thotë: “E prej tyre (hipokritëve) pati sish që i patën dhënë besën All-llahut që: Nëse na jep (All-llahu) nga mirësia e Tij, ne do të ndajmë lëmoshë dhe do të bëhemi prej punëmirëve. Kur ju dha (All-llahu) nga të mi­rat e Veta, ata bënë koprraci me atë (që u dha), e thyen besën dhe u zbrapsën nga respekti ndaj All-llahut.” (Et-Teube: 75-76) Ndër­kaq muslimani ruhet të mos e go­det ndonjë njollë e hipokrizisë, dhe e lut All-llahun ta pastrojë prej saj.
4. Rreziku i lakmisë së nje­riut për pasuri mund ta shtyjë njeriun të nxitojë ta përvetësojë atë para kohe. Ndërkaq ligjet na­tyrore dhe juridike të All-llahut janë se: Kush dëshiron ta arrijë një gjë para kohe, dënohet me ndalimin e saj.
Po ashtu, lakmia e madhe ndaj pasurisë mund të shkaktojë që njeriu mos t’i përfillë dhe t’i lë pasdore gjërat që janë të do­mosdoshme fetarisht. Prej gjërave të domosdoshme që du­het të merren parasysh ja­në: kushtet e fitimit të pasurisë, kushtet e zhvi­llimit dhe har­xhi­mit të saj. Andaj, obligim i pa­kontestueshëm është që pasuria të fitohet në mënyrë të nder­sh­me (hallall), të harxhohet në gjë­ra të lejuara, dhe që njeriu të mos jetë koprrac në obligimet që ka në të. Ndërkaq praktikimi i këtyre rregullave është prej gjë­rave më të vështira për njeriun.
Në dritë të këtyre fakteve e analizojmë pyetjen e vëllait tonë, i cili dëshiron ta fillon jetën e tij ekonomike me marrjen e kamatës nga banka, për të cilën të gjitha institucionet shkencore islame ja­në të njëzëshme se është vepër e nda­luar (haram).
Por, ai këtë ia lejon vetes me pretekst se është e keqe e domos­doshme, dhe se ai është i detyruar për një gjë të tillë, me qëllim që ta arrijë standardin që e ka plani­fikuar për vete. Ai e konsideron këtë domosdoshmëri e cila ia lejon atij ta përdorë kamatën në transakcione. Por, a është e vër­tetë se kjo gjendje është e domos­doshme?
Vërejtje e patjetërsueshme rreth pretekstit të domosdosh­më­ri­së:
Ekziston një parim i pakon­testueshëm: se gjendjet e domos­doshme i kanë dispozitat e tyre të parapara me sheriat. Si për shem­bull, në raste të domosdoshmërisë ua ka lejuar individëve ta hanë coftinën, gjakun dhe mishin e derrit në rast urie të jashtëz­akon­shme, siç e potencon këtë qartë Kur’ani, por e kushtëzoi që të jetë jo për shije dhe pa e tepruar: “… e kush detyrohet nga uria (të hajë nga të ndaluarat), duke mos anuar dhe duke mos pasur për qëllim mëkatin, All-llahu falë shumë dhe është mëshirues.” (El-Maide: 3); “… e kush shtrë­ngo­het (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet All-llahu falë, ësh­të mëshirues.” (El-Bekare: 173)
Nisur nga kjo, dijetarët mira­tuan një kriter tjetër plotësues, gjegjësisht: Ajo që është e lejuar për shkak të domosdoshmërisë, e ka masën e vet sipas nevojës, sep­se përndryshe do të ishte lakmues i të ndaluarës dhe kalues i kufij­ve.
Po ashtu, duhet pasur para­sysh edhe tre gjëra:
1. Realisht të jetë prezente domosdoshmëria, e jo të jetë kjo thjesht pretekst për lejimin e të ndaluarës së qartë. Kjo i ka argu­mentet dhe dëshmitë te dijetarët dhe ekspertët. Për këtë duhet t’i py­e­së dijetarët dhe ekspertët ob­jek­­tiv të ekonomisë dhe finan­cave, njerëz këta që nuk i ndjekin pasionet dhe nuk e shesin botën e ardhshme për interesat materiale: “… e askush nuk të informon ty si i dijshmi (All-llahu).” (Fatir: 14)
2. Nëse mbyllen, para atij që ka nevojë, qoftë individ apo qeveri, të gjitha dyert e hallallit, edhe përskaj orvatjes së hapjes së tyre, si dhe mospasjes alternativa legjitime që e plotësojnë nevojën. Në këtë rast mund t’i shfrytë­zoj­më gjërat e urrejtura me qëllim që të dalim nga gjendja e ngushtë dhe presioni i saj i ashpër. Ndër­kaq, nëse ekzistojnë alternativa tjera dhe hapet ndonjë derë e hallallit, në asnjë mënyrë nuk lejohet të drejtohemi në haram.
3. Që ajo e cila lejohet për raste të jashtëzakonshme të mos shndërrohet në parim të përgjith­shëm dhe kriter konstant, por du­het ditur se kjo është një përja­sh­tim i përkohshëm i cili shfuqi­zo­het me eliminimin e domosdosh­mërisë. Për këtë, dijetarët ia shtu­an rregullës: “Gjërat e domos­do­sh­me i lejojnë ndalesat” një rregull tjetër plotësuese, e që është: “Ajo që lejohet për shkak të domosdoshmërisë, i ka kufijtë e veta.” Kjo është bazuar në aje­tin: “… e kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është më­kat…” E ai i cili e tejkalon kufi­rin e të domosdoshmes në kohë ose sasi, ai e ka tepruar.
Më mirë për vëllain që pyet, e që është plot elan, është që të veprojë gradualisht, gjë që është prej ligjeve të All-llahut në koz­mos dhe sheriat, të ngjitet shka­llëve prej të parës, një nga një, mos ta kapërcejë realitetin dhe të mundohet t’i përfshijë të gjitha periudhat në një hap, sepse kjo mund ta çojë vetëm në humbjen e fesë dhe të kësaj bote, bashkë­risht.

 

 

 


Komentoni temën

No comments found.